Dumoshi për vdekjen e Ismet Pejës: Kemi humbur një njeri e një artist të papërsëritshëm

23 Nëntor, 2020 - 9:11 am

Ka vdekur sot ikona e muzikës popullore Ismet Peja. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga djali i Ismet Pejës, Visari, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Menjëher kanë qenë të shumta edhe reagimet për vdekjen e Pejës, ku ndër të tjerë dhimbjen e saj e ka ndarë edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Dumoshi është shprehur se emri i Ismet Pejës do të jetë përjetësisht i lidhur me këngën burimore shqiptare.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj, doajenit të muzikës, këngëtarit me muzikën e të cilit u rritëm, bilbilit të Gjakovës, Ismet Peja. Emri i Ismet Pejës do të jetë përjetësisht i lidhur me këngën burimore shqiptare, me melosin popullor shqiptar dhe me veprimtarinë muzikore të Kosovës në përgjithësi”, ka shkruar Dumoshi.

Dumoshi tutje ka shtuar se zëri i bacës Ismet përmes qindra këngëve që ai solli mjeshtërisht, qe i pranishëm për publikun për shtatë dekada me radhë. Ai ishte padyshim monument i këngës popullore e qytetare shqiptare dhe artist me kuptimin e plotë të fjalës.

 “Baca Ismet në një jetë të tërë kushtuar skenës, ishte i pranishëm për publikun edhe në muajt e fundit të jetës. Për adhuruesit e këngës së tij, zëri i tij do të mbetet përherë i freskët e i paharruar, shpirti i tij përherë rinor e gazmor sepse siç thoshte edhe ai vet me këngë “Robi plaket kur don vet”! Kemi humbur një njeri e një artist të papërsëritshëm. Ismet Peja ishte dhe do të mbetet emër i pashlyeshëm i kulturës dhe artit shqiptar”, përfundon Dumoshi. / KultPlus.com

Të ngjajshme