Dy filozofët që gjetën lumturi në vallëzim

17 Korrik, 2019 - 10:56 pm

“Vallëzimi mund të zbulojë të gjithë misterin që fsheh muzika.”

– Charles Baudelaire

Përmendja e Niçes apo Sokratit për temën e vallëzimit nuk na jep pasqyrimin e kontributit të tyre që kanë bërë në filozofi. Ngase i pari njihet si filozof i nihilizmit dhe i dyti si mjeshtër i dialektikes,  të cilët gjithashtu njihen për mbajtjen e një niveli të lartë mes tyre në diskutimin e pikëpamjeve që i mbanin për kafshët politike. Megjithatë, paraqitja në vetvete është një nga gjërat më të kënaqshme dhe që bazohet në realitet. Vallëzimi dhe mbrojtja e aktit të vallëzimit te Niçe dhe Sokrati përbën tek ta një tundim të papërmbajtshëm për të lëvizur trupat tanë.

Ne të gjithë jemi të familjarizuar me qëndrimin e Niçes për zotin dhe vallëzimin (“Unë do të besoja vetëm atë zot i cili din të vallëzoj”), thjesht veprimtaria e tij është e mbushur me plot lavdërim mbi këtë praktikë (Vallëzuesit e Dionisit, vallëzimi i shthurur, burrat, gratë dhe fëmijët që kërcejnë pa pushim), ndërkohë që ai vetë ishte bërë valltar i vetmuar. Për të, liria nuk është më pjesëmarrëse, në kuptimin që ne mund të zgjedhim se si të lëvizim me rrjedhën e botës, njëjtë siç është rasti edhe me vallëzimin. Njeriu duke vallëzuar hyn në ritmin e gjërave, të erës, të luhatjeve të jetës që janë gjithmonë në përsëritje, por megjithatë janë në dispozicion të vullnetit të lirë të trupit. Aty gënjeshtra është e bukur. Trupi mund të zgjedhë se si të përfshihet me ritmin dhe gravitetin, dhe egoja në mënyrë të vetëdijshme është e përqendruar të shkoj drejt një çlodhje të tij të përkryer gjersa vetja të çon kah anët e një loje me forca të lira.

Ashtu si Walt Whitman që deklaron në poemat e tij se është marrëzi të besohet nga filozofët se trupi material është një entitet fizik që ekziston i pavarur nga shpirti. Për të edhe të menduarit ishte një aktivitet fizik:

“Mendimi duhet të mësohet ashtu si mësohet vallëzimi, ai është veçse një lloj vallëzimi … Kush është atje […] që di përvojën e formës së dridhjes së dritës që përhapet në të gjithë muskujt që formojnë këmbët e lehta!”

Prandaj nuk është për t’u habitur që Niçe si dashnor i ekstazës fizike do të favorizonte lirikun Walt Whitman mbi këtë diskurs dhe do të donte që fjalët e tij të lëviznin me këmbë të lehta si Zarathustra i tij duke kapërcyer kuptimin e tyre konvencional. Megjithatë ishte edhe më shumë lëvizja e mësuesit të tij të madh Sokratit, i cili i mësoj i pari këtë valle të madhe të arsyes.

Në Simpozium, Ksenofoni thotë se ndërsa Sokrati vëzhgonte shfaqjen e një valltari të Sirakuzës, ai u magjeps me hijeshinë e tij. Në harmonin e lëvizjeve të tij, Sokrati, tek ai pa më shumë bukuri se sa kur ndalonte për të pushuar. Pastaj, Sokrati rrëfen se Χαρμίδης (Harmidisi) e gjeti atë duke vallëzuar vetëm dhe që kishte menduar se ishte çmendur, por kur ai i tregoj atij se qëllimi i këtij veprimi ishte për të gjetur harmoni në lëvizjet e tij, atëherë edhe Harmidisi e filloi praktikën e harmonizimit të lëvizjeve të tij përmes lëvizjes së hijes (sepse as ai nuk dinte si të vallëzonte). Kjo sigurisht na kujton shprehjen e famshme të Niçes (dhe që ndoshta u inspirua pikërisht nga kjo anekdotë):

““Dhe ata që i panë tek vallëzonin dhe menduan se ishin të çmendur, janë nga ata që nuk mundën ta dëgjojnë muzikën”

Për Sokratin, vallëzimi ishte mënyra optimale për të lëvizur trupin në simetri të njëkohëshme me të gjitha pjesët e tij, ndryshe nga llojet e tjera të stërvitjes fizike siç janë vrapimi ose mundja. Marrëdhënia mes bukurisë (kalos) dhe më të bukures (kallioni) është nga lëvizja dhe raporti. Duke kuptuar se trupi është shumë më i bukur dhe më i këndshëm në lëvizje të plotë se sa në një pushim të thjeshtë, e bëri filozofin shtatëdhjetë vjeçar që në pleqërinë e tij të mësonte vallëzimin. Duhet të kujtojmë se ai gjithashtu thotë që:

““Muzika dhe vallëzimi janë dy arte që e plotësojnë njëra-tjetrën dhe formojnë bukurinë dhe fuqinë që janë themeli i lumturisë”

Të dy këta filozofë, të cilët i karakterizon të qenit të vetmuar, e gjetën lumturinë në vallëzim. Një lumturi e tillë mund të kuptohet vetëm nga të gjithë ata që kanë vallëzuar dhe u janë dorëzuar forcave dioniziane që dalin nga thellësitë dhe shfaqen në pamjen e jashtme të trupit. Është e vërtetë se nuk është e domosdoshme që vallëzimi të bëhet vetëm për vetëm, por ka më shumë gjasa që në vetmi, ngathtësia e ngurtë e vetëdijes dhe e egos do të pezullohen në çast. Sa më pak që përfshihet egoja e vetëdijshme, aq më e madhe do të jetë zhdërvjelltësia e lëvizjeve dhe gjendja e lirisë. Ne nuk e krijojmë rrjedhën e botës apo forcat gravitacionale, andaj edhe nuk mund t’i heqim ato. Por ne mund të kërcejmë bashkë me to. Kjo është një nga manifestimet e mëdha të vullnetit të lirë që na është dhënë: është e nevojshme të ndihet, madje qoftë edhe vetëm për një herë, e gjithë liria e trupit. Poeti dhe kritiku Edwin Denby e përmbledhë në mënyrë të përsosur këtë:

“Ka pak çmenduri në vallëzim që ju bën të gjithëve një pjesë të madhe të së mirës”. Kështu që le të vallëzojmë!.”

Përktheu nga anglishtja: Arian Musa/KultPlus.com

Të ngjajshme