Dyfish më shumë turistë francezë nga janari në korrik

14 Gusht, 2022 - 1:46 pm

38,915 turistë francezë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari në korrik, dyfish më shumë se sa vitin e kaluar kur ishin 19,184 të tillë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e Laurence Depoux për gazetën e njohur franceze ”Femina”.

“I vërtetë, plot histori, ngjyra, por mbi të gjitha informues dhe frymëzues është ky reportazh i Laurence Delpoux për lexuesit francezë”, theksoi Rama.

“Përmes bashkëbisedimeve me aktorë të turizmit shqiptar, janë të shumta vendet dhe më të shumta arsyet të cilat renditen si domosdoshmëri për t’u vizituar, nga plazhet e jugut deri tek Përmeti e Gjirokastra”, shtoi Rama.

“Gjëja e parë që çdo njeri mund të shikojë kur vjen në Sarandë, është një hapësirë buzë detit, e cila përveç magjisë që mund të japë tek çdo qytetar, ose çdo i huaj, sepse njerëzit kanë nevojë për hapësirë dhe trotuare, që nuk ka në asnjë vend dhe kur je afër, buzë detit, jep jo vetëm kënaqësi, por të jep dhe argëtim. Kam parë turistë të ndryshëm dhe me cilësi. Kam parë sa i përket muzikës, që nuk luan muzika në orë nate, që përsa i përket kësaj varianti njerëzit duan qetësinë e tyre. Është një ambient familjar. Ne duam turistë familjarë, me familjen në Sarandë. Deti qe i pastër sa i përket cilësisë së ujit. Dhe duket që po ecën. Saranda u ndërtua shpejt e shpejt pa urbanistikë. Tani janë bërë gjëra që përpiqen sa më shumë për turizmin që ta rregullojnë, sepse është një vend shumë i bukur dhe turistik”, u shpreh një turist.

“Më mirë se në Itali. Shumë bukur ishte shumë bukur, plazhi të gjitha”, thanë dy turistë të tjerë.

Ndërsa një turist i huaj theksoi se, “qytet shumë i mirë, ka shumë plazhe. Nuk është i shtrenjtë në krahasim me vendet e tjera evropiane. E sugjeroj si një vend të mirë për të qëndruar për 1 javë ose edhe më tepër”.

“Saranda e bukur, kemi ardhur për dy ditë, shpresoj të rikthehemi shpejt”, u shpreh një turist italian.

“Pushime shumë të mira, vend shumë i mirë, qytet shumë i bukur. Na pëlqen shumë deti, është i pastër, na pëlqen të notojmë, uji është shumë i ngrohtë, na pëlqen. Çmimet shumë të mira. Ne jemi nga Ukraina dhe çmimet janë pothuajse të njëjta. Do të qëndrojmë gjatë gjithë verës këtu”, tha një turist nga Ukraina.

“Është vend i mrekullueshëm, është vend magjik. Opinioni i përgjithshëm është që gjithçka këtu është shumë e bukur, është magjike. Mbrëmja është e jashtëzakonshme, ka shumë gjëra për të bërë dhe nuk na mjafton koha që kemi në dispozicion. Plazhet janë madhështorë, sapo pamë një plazh dhe uji ishte i kristaltë. Ksamili i mrekullueshëm, kemi qenë herë tjetër dhe do të shkojmë edhe nesër. Deti është i mrekullueshëm, çdo gjë këtu është e bukur. Po kënaqemi shumë”, u shpreh një turist italian.

Ndërsa një turist nga Serbia tha se, “është mahnitëse, është shumë bukur, ka shumë njerëz dhe deti është i këndshëm. Ngjyrat janë të mrekullueshme, çdokush këtu është i hareshëm. Po është shumë mirë këtu. Kemi qenë dhe vitin e kaluar dhe mendoj se qyteti po zgjerohet, ka shumë hotele dhe bare të reja. Ka plazhe edhe për familjarë, edhe për të rinj. Mendoj që këtu ka diçka për të gjithë. Po mendojmë që të vijmë sërish vitin tjetër”.

Shqipëria po shënon këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i takon fluksit të lartë të vizitorëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë.

INSTAT bëri të ditur se në qershor 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 876.056. Ky numër është rritur me 45,0 %, krahasuar me qershor 2021.

Shifrat tregojnë se 18 820 turistë spanjollë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari deri në korrik të këtij viti, përkundër 4228 vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit që shkoi.

Kryeministri Rama u shpreh më herët se nga 36 mijë turistë britanikë deri në korrikun e vitit të kaluar 90 mijë kanë qenë vizitorët nga Britania e Madhe në Shqipëri këta shtatë muaj, falë edhe shtimit të konsiderueshëm edhe të udhëtimeve me linja direkte./atagoval/ /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme