‘Dying of laughter’, instalacioni me qypa që përfaqësoi Shqipërinë në Milano

16 Prill, 2025 - 7:31 pm

Në galerinë Slow Mill, gjatë Fuori Salone në Milano, artistët Marin Nikolla dhe Denis Muça prezantuan një instalacion që jeton në kontrastin mes absurdit dhe reflektimit të thellë.

Vepra e tyre titullohet “Dying of laughter” (Të vdesësh së qeshuri) dhe eksploron e trajton me ironi paradokset që jetojnë tek njeriu. Artistët rrëfejnë historinë e tyre nëpërmjet qypave të baltës dhe një filmimi, xhiruar nga brenda një qypi. Ata sjellin një film të metrazhit të shkurtër ku çdo tingull vjen nga vetë ena.

“Në rrjetet sociale u shfaq si një fenomen “hahaha”, e qeshura e shprehur si fjalë, por që në të vërtetë nuk është fjalë. Është më shumë një arratisje nga gjuha, një e qeshur e shkruar. Një pjesë jo e menduar mirë e teknologjisë”, thotë për mediet, Marin Nikolla.

I pyetur se ç’do të thotë për të fakti që përfaqësoi Shqipërinë në Fuorisalone në Milano, artisti tha se, për të ekzistojnë dy Shqipëri: ajo gjeografike, që ka mbetur në vend dhe një tjetër më e madhe, e shpërndarë nëpër botë, në kërkim të diçkaje. “Nuk e di, mbase ka edhe të tjera…”, shprehet Nikolla, duke lënë hapësirë për reflektim./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme