Dymijë gazeta amerikane janë mbyllur gjatë 15 vjetëve të fundit

2 Janar, 2020 - 7:42 pm

Një nga muzetë më unikë në Uashington DC, i quajtur Newseum, u mbyll në prag të Vitit të Ri. Për 12 vjet ai ka shërbyer si një mjedis ndërveprimi, kushtuar gazetarisë si dhe inkurajimit të mesazhit që përcjell Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Më shumë detaje na sjell materiali i përgatitur nga korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Rice.
Pjesë të murit të Berlinit dhe kullave binjake pas rrëzimit më 11 shtator të vitit 2001, makina e shpartalluar nga plumbat e një ekipi televiziv që punonte në ish-Jugosllavi, faqet e para të gazetave nga e gjithë bota, kanë qenë simboli i shtypit të lirë dhe Amendametit të Parë të Kushtetutës Amerikane për më shumë se një dekadë të ekspozuara në godinën e Newseum-it që ndodhet në zemër të kryeqytetit amerikan, Uashington DC.
“Mbi dhjetë milionë vetë e kanë vizituar Newseum-in gjatë gjithë periudhës kohore që ka qenë i hapur në Uashington DC. Gjysma e vizitorëve kanë qenë nxënës shkollash. Është diçka që na ka gëzuar pa masë kur i shihnim ata të ndërvepronin me gjëra të tilla si muri i Berlinit, të mësonin mbi Luftën e Ftohtë apo të shihnin galerinë tonë mbi 11 shtatorin “, thotë Sonya Gavankar, drejtoreshë për Marrëdhëniet me Publikun, Newseum.
Pasi qëndroi i hapur për më shumë se 12 vjet, muzeu falimentoi. Ndërtesa që e strehoi atë gjatë gjithë kësaj periudhe i është shitur universitetin Johns Hopkins për 372.5 milionë dollarë.
“Ideja për Newseum-in nisi mbi njëzet vite më parë, nga themeluesi ynë Al Neuharth, me qëllimin për të edukuar e zhvilluar biseda në lidhje me Amendamentin e Parë të Kushtetutës dhe profesionin e gazetarisë. Kjo ide u jetësua në Rosslyn-in të Virxhinias, në një muze të bukur dhe pas rreth një dekade atje, u transferua këtu në Uashington DC”.
Për të blerë godinën që ndodhet shumë pranë Kongresit u shpenzuan me miliona dollarë. Por megjithëse u arritën të gjitha objektivat e parashikuar, muzeu nisi të përjetojë probleme.
“Amendamenti i Parë, liria e fjalës dhe e shtypit janë të rëndësishme. Jam rritur duke besuar në këto vlera dhe tashmë mendoj se ato janë në rrezik këtu në vendin tonë. Kjo është diçka e trishtë”, thonë Tiffany dhe Jessica Crabtree, vizitore të Newseum-it
“Është shumë e trishtueshme ta shohësh tek mbyllet. Ka kaq shumë histori të dokumentuar ….Kjo të bën të mendosh se sa i rëndësishëm është një shtyp i lirë”, thotë Seth, vizitor i Newseum-it.
Mbyllja e Newseum-t vjen në një kohë të vështirë për gazetarinë tradicionale. Rreth 2 mijë gazeta amerikane janë mbyllur gjatë 15 viteve të fundit. Sipas sondazhe të Gallup-it më pak se gjysma e popullsisë amerikane i besojnë medias, një rënie e madhe nga më shumë se 70 për qind që llogaritej në vitet 1970.
Gazetari Ron Lyons thotë se ai erdhi në Uashingtom DC nga Detroit posaçërisht për të parë Newseum-it.
“Kjo është ajo për të cilën po luftojmë. Kjo është arsyeja pse punojmë si gazetarë, jo thjesht për të marrë çmime e tituj, por për të treguar se liria e shtypit dhe zëri i publikut janë të rëndësishme”, thotë Ron Lyons, gazetar.
Drejtuesit e Newseum-it shpresojnë ta vazhdojnë misionin me theksin tek profesioni i gazetarisë e të paturit të një shtypi të lirë, në një forum në internet. /KultPlus.com

Të ngjajshme