E kërcënuan me vdekje në Facebook, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Albin Kurtit

1 Gusht, 2025 - 12:26 pm

Sipas njoftimit të Prokurorisë aktakuza ndaj F.K. dhe N.S. për veprën penale “Kanosja” është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, ka njoftuar Prokuroria.

Pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. thuhet se ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj të dëmtuarit, ku thuhet “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., thuhet se e ka kanosur me vrasje Kurtin përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, për shkak të funksionit të tij, siç thuhet ”duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K”./KultPlus.com

Të ngjajshme