E para në radhë, gruaja në Britani përgatitet për vaksinimin

7 Dhjetor, 2020 - 11:09 pm

“Jam pak e frikësuar, por kryesisht absolutisht e kënaqur dhe e entuziazmuar që vaksina është këtu dhe unë po e marr”.

Kështu është shprehur një nga njerëzit e parë në botë që do të vaksinohet kundër koronavirusit, ndërsa Britania po i afrohet momentit të rëndësishëm.

Katie Stewart, 37 vjeç, është një anesteziste konsulente në spitalin e përgjithshëm Borders në periferi të Melrose në Skoci.

Puna e saj për trajtimin e pacientëve me Covid në kujdesin intensiv, e bën atë një nga 800,000 personat që do të marrin dozat e para të vaksinës së Pfizer, e disponueshme në Britani.

“Shpresoj se ky është fillimi i fundit të pandemisë”, tha Steëart.

Javën e kaluar rregullatori i ilaçeve në Britani, Agjencia Rregullative e Barnave dhe Shëndetit (MHRA), u bë e para në botën perëndimore që miratoi vaksinën.

Mbretëria e Bashkuar ka blerë 40 milion doza, të mjaftueshme për 20 milion njerëz, por shumica pritet të mbërrijnë vitin e ardhshëm.

Dozat e para janë të destinuara për personelin e shtëpive së kujdesit dhe të moshuarit, njerëzit e moshës 80 vjeç e lart dhe punonjësit e shëndetësisë që janë në vijën e parë të luftës./ KultPlus.com

Të ngjajshme