9 Korrik, 2025 - 12:25 pm
Një ekspozitë e re arti do të paraqesë vepra origjinale arti, përkatësisht piktura të krijuara nga kantautori Ed Sheeran, transmeton KultPlus.
Ylli i popit u inkuadrua në pikturë në vitin 2019, por duke u shprehur se gjithmonë i kishte pëlqyer të studionte artin në shkollë ndërsa rritej në Suffolk.
Ai krijoi disa piktura midis shfaqjeve vitin e kaluar në një parking makinash të braktisur në Londër dhe u inkurajua të mbante një ekspozitë të krijimeve të tij në Galerinë Heni në Soho, Londër, deri në gusht.
“Fillova të pikturoja në fund të turneut tim Divide në vitin 2019 dhe është diçka që e kam përdorur si një mënyrë krijuese që atëherë. Kur isha i vogël, të dy prindërit e mi punonin në art, kështu që natyrisht gjithmonë kam qenë i interesuar për të, dhe gjithmonë më ka pëlqyer të studioja artin në shkollë. Isha në turne vitin e kaluar, dhe e shfrytëzova shumë kohën time të lirë në Mbretërinë e Bashkuar për të pikturuar. Vrapoja në një parking makinash të braktisur në Soho çdo mëngjes, pikturoja, pastaj vrapoja për në shtëpi dhe e bëja këtë çdo ditë derisa të kthehesha përsëri në turne”, thotë Sheeran.
Ekspozita është quajtur “Cosmic Carpark Paintings”, emërtim i cili lidhet edhe me frymëzimin krijues, dhe hyrja për tëinteresuarit që duan të shohin ekspozitën është falas.
Veprat e reja të Sheeran janë frymëzuar nga modelet qiellore dhe janë në përputhje me stilin e pikturës së artistit.
Këto krijime do të ekspozohen në Galerinë Heni nga e enjtja deri më 1 gusht dhe gjithashtu mund të blihen, dhe të ardhurat do të dhurohen për Fondacionin Ed Sheeran, i cili punon për të ofruar edukim muzikor dhe mundësi zhvillimi për të rinjtë.
Sheeran shpjegoi se i kishte treguar artistit Damien Hirst, si dhe Joe Hage, themeluesit të fondacionit Heni, për pikturat e tij, dhe ata e inkurajuan të bënte ekspozitën.
Gjithashtu Sheeran do të performojë tre koncerte kthimi në shtëpi me bileta të shitura në stadiumin Portman Road në Ipswich të premten, të shtunën dhe të dielën.
Sheraan me ekspozitën e tij, shpërfaq edhe gjithëpërfshirjen e tij artistike, duke shtrirë krijimin jo vetëm në muzikë, por kësaj radhe edhe në pikturë./KultPlus.com