Edhe një vit pa meçe të mëdha të boksit

27 Prill, 2020 - 8:00 pm

Meçet më të mëdha të boksit mund të jenë një vit larg për shkak të pandemisë, ka shkruar BBC të hënën.

Sporti është pezulluar thuajse në gjithë botën, ndërsa mundësia për zhvillimin e meçeve të boksit pa praninë e shikuesve kur masat të lehtësohen, tashmë po diskutohet nga disa promotorë.

Ka vlerësime të ndryshme nëse meçet pa shikues kanë kuptim në aspektin afarist, ndërsa ka drojë se mbrëmjet e boksit mund të rrisin presionin te shërbimet emergjente. Sipas BBC-së po diskutohet edhe për atë se si do të kalojnë boksierët kufijtë, derisa udhëtimet janë të kufizuara.

“Nuk pres që të shohim meçe të mëdha deri në prill, maj apo qershor të vitit të ardhshëm. Promotorët si Frank Warren, Bob Arum apo Eddie Hearn nuk do të organizojnë meçe të mëdha në këtë fazë. Ashtu si ka thënë Arum, kush do të kompensonte humbjet e parave nëse meçet organizohen pa shikues”, ka thënë analisti i BBC-së, Steve Bunce.

Disa luftëra të mëdha tashmë janë anuluar.

Promotori Arum ka theksuar se meçi i tretë në mes të Tyson Furyt dhe Deontay Wilderit, tani është në pritje. Ata është dashur të përballen në korrik, ndërsa tetori tani është synim. Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme