Edhe pak orë deri në mbylljen e konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”

20 Nëntor, 2022 - 11:05 am

Konkursi i cili është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e rijnë dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash, pranon poezitë deri sonte në ora 23:59, shkruan KultPlus.

Organizatorët e këtij konkursi këto ditë kanë bërë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni e cila këtë vit ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Ornela Vorpsi, kryetare e jurisë, Ag Apolloni dhe Dren Abazi.

KultStrofa, konkursi i cili ndër vite ka sjell prurje të jashtëzakonshme të cilat janë kurorëzuar me një event të organizuar në KultPlus ku edhe janë shpërblyer, këtë vit paralajmëron një edicion special të mbështjellë me një laramani emocionesh.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, njëherit themeluesja e KultPlus, është shprehur se “KultStrofa” është një prej konkurseve më serioze dhe më të vlerësuara të poezisë, andaj janë kujdesur që edhe këtë vit të sjellin një edicion që e dëshmon këtë gjë.

“KultStrofa vazhdon të jetë një prej konkurseve më prestigjioze dhe më serioze sa i përket poezisë. Kështu kanë vlerësuar shumë poetë të njohur për këtë konkurs, e këtë e dëshmon edhe prurja e shumë poezive në edicionet paraprake. Poashtu këtë konkurs e bën të veçantë edhe përzgjedhja e jurisë profesionale, ku çdo vit kemi pas kujdes të përzgjedhim emra të njohur të botës letrare. Edhe këtë vit kemi emra të fuqishëm të letërsisë dhe një prej tekstshkruesve më të dashur për publikun”, shprehet Pajaziti.

Pajaziti ka bërë të ditur gjithashtu se  në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, për të vazhduar tutje ne edicionet tjera me poetet, Arjola Zadrima, Merita Berdica dhe Gentiana Bajrami Atashit.

“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë www.kultplus.com.

Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 20 nëntor 2022. / KultPlus.com

Të ngjajshme