Edhe pse pandemi, japonezët shijojnë lulen e qershisë

28 Mars, 2021 - 10:54 pm

Artistët japonezë i kanë kushtuar mijëra vargje dhe piktura lules së qershisë, (sakura) dhe një numër festivalesh pranverore janë organizuar për nder të saj. Ajo është një nga simbolet e rëndësishme të kulturës japoneze.

Pavarësisht masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, qytetarët vërshuan parqet për të parë gjethet e luleve të hapura në fund të marsit dhe në fillim të prillit. Rrugët e Tokios tashmë kanë marrë ngjyra të bukura.

Të shikosh lulen e qershisë është një zakon japonez që përfshin njerëz të të gjitha brezave. Çdo vit, një numër i madh i turistëve vendas dhe të huaj kalojnë pjesën më të madhe të kohës në parqe duke u përpjekur të bëjnë fotografitë më të bukura të lules së qershisë, e cila është paralajmëruese e pranverës dhe simbol i bukurisë së përsosur në vendin ku lind dielli.

Rituali përfshin këndimin e këngëve të veçanta dhe shijimin e ushqimeve tradicionale.

Këtë vit, megjithatë, situata është disi më ndryshe për shkak të koronavirusit dhe masave që po zbatohen në gjithë botën për të luftuar përhapjen e infeksionit. Në Japoni, regjistrohet një numër më i vogël i njerëzve të infektuar, por ndikimi i COVID-19 ndihet.

Gjendja e jashtëzakonshme, e cila u fut në rajone të ndryshme të vendit në periudhën janar-mars, u hoq plotësisht në fillim të javës.

Duke përfituar nga heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, japonezët nuk hoqën dorë nga tradita e tyre dhe shkuan për të parë këto lule./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme