Edi Rama: Anagnosti, babai i kinemasë shqiptare

1 Shtator, 2025 - 9:41 am

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes rrjeteve sociale, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, një prej figurave themelore të kinematografisë shqiptare.

Në postimin e tij, Rama e kujton Anagnostin si “babain e kinemasë shqiptare”, autorin e shumë skenarëve dhe filmave të arrirë, përfshirë filmin e njohur “Lulëkuqe mbi mure”, të cilin e cilëson si “kryetitullin e ekranit të historisë së filmit shqiptar”.

“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart”, ka shkruar Rama.

Dhimitër Anagnosti mbetet një prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar, me një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e gjuhës dhe identitetit të filmit shqiptar ndër dekada.

Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936.  Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera./KultPlus.com

Të ngjajshme