Edicioni i 13-të i polip, Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë nis më 12 maj në Prishtinë

4 Maj, 2023 - 12:26 pm



Më 12 maj nga ora 19:30 në Teatrin ODA nis edicioni i 13-të i polip – Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, me temën TO THE LIGHTHOUSE.

Këtë vit, festivali feston edicionin e vet të 13-të dhe në të njejtën kohë të fundit sipas këtij formati. Përgjatë këtyre viteve, skena e festivalit ka mirëpritur qindra autorë nga e gjithë bota për të lexuar e diskutuar për tema të rëndësishme për shoqëri e kontekste të ndryshme socio-politike. Por mbi të gjitha, ka krijuar një ambient miqësor të shkëmbimit, shumëllojshmërisë e respektit të ndërsjellë.

Edicioni TO THE LIGHTHOUSE nis me hapjen tradicionale, e cila pasohet me lexime nga autorë të ndryshëm dhe përmbyllet me një performancë muzikore nga Vala Mulliqi & Band. Në ditët në vijim deri më 14 maj, do të ketë lexime nga rreth 30 autorë mysafirë nga rajoni e Evropa, panele diskutimi, promovime librash e mbrëmje me muzikë.

Disa nga ngjarjet më të spikatura të këtij edicioni janë promovimi i monografisë dokumentuese të këtyre 12 edicioneve të festivalit: Sea of Change: polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010-2022) me autore Natasha Tripneyn më 13 maj nga ora 17:00; performanca Wrong Language Tour me autorë të ndryshëm nga rajoni e Zvicra më 15 maj nga ora 20:00; si dhe promovimi i librave Jazra Grozni Khaleed nga Jazra Khaleed përkthyer në shqip nga Eleana Zhako dhe botuar nga Qendra Multimedia si dhe “Shëtitje në Srebrenicë” nga Faruk Shehiq, përkthyer në shqip nga Fadil Bajraj. Autorët dhe përkthyesit do të jenë të pranishëm në bashkëbisedimin e organizuar më 14 maj nga ora 19:30. Ky edicion i polip-it përmbyllet me një performancë muzikore nga Malda Susuri & band. 

Të gjitha aktivitetet e festivalit ndodhin në Teatrin ODA në Prishtinë.

Programin e plotë të edicionit të 13-të të polip – Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, e gjeni KËTU.  /KultPlus.com

Të ngjajshme