Edicioni i 13-të i “Violinistic greetings”, i vetmi festival dedikuar tërësisht violinës

3 Qershor, 2025 - 12:16 pm

Festivali ndërkombëtar “Violinistic greetings” vjen në edicionin e 13-të me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si vetmi festival që i dedikohet tërësisht violinës.

Në këtë edicion marrin pjesë violinistë të njohur, të huaj e shqiptarë, me një shtrirje gjeografike që përfshin edhe Amerikën e Veriut dhe Brazilin.

Koncerti i parë i këtij edicioni, i titulluar “Greetings from Vienna” është një recital i violinistes Ina Kosturi dhe pianistes Rejsi Prosi, që realizohet në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, ditën e nesërme, si pjesë e stinës koncertore të Fakultetit të Muzikës.

“Greetings from Vienna” është titulli i një pjese të re për violinë e piano, kompozuar enkas për këtë edicion nga violinistja Ina Kosturi. Ky koncert recital sjell një program të veçantë me tre vepra shqiptare për violinë dhe dy vepra pothuaj të panjohura për skenën shqiptare të kompozitorëve botërorë Aaron Copland dhe Alberto Ginastera.

Ina Kosturi vjen si interpretuese dhe kompozitore me “Sonatë” për violinë e piano, “Improvisation for violin solo”, botuar nga shtëpia e famshme vjeneze “Universal Edition” dhe vlerësimin së fundmi me çmimin e tretë dhe Honorable Mention në konkursin e rëndësishëm Vienna Classical Competition, “Arnold Rose” Competition, i organizuar në bashkëpunim me Moxarthaus, në nderim të koncertmaestrit të Filarmonisë së Vjenës, violinistit Arnold Rose./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme