Edukatorja në Mitrovicë rrah fëmijën, reagon ministrja Nagavci: Zotohem se do të jemi të pakompromis

22 Shkurt, 2023 - 1:18 pm

Ditën e djeshme, institucioni parashkollor “Kopsht dhe Çerdhe Nina” me vendndodhje në Mitrovicë, ka dalë me një komunikatë përmes së cilës ka reaguar për një rast të sulmit fizik ndaj një fëmije nga edukatorja A.A.

Sipas komunikatës, edukatorja A.A ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije gjatë kohës që ishte nën kujdesin e saj dhe se pas kësaj ky institucion parashkollor, përmes pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, konfirmoi sulmin e edukatores, e cila ka mohuar ushtrimin e dhunës.

Më tej institucioni parashkollor ka bërë të ditur se masat janë marrë duke njoftuar prindin e fëmijës i cili e ka inicuar rastin në Polici.

Për këtë rast të ndjeshëm, ka reaguar sot edhe ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci e cila është shprehur se dhuna është e patolerueshme dhe e dënueshme.

Tutje, Nagavci është zotuar se do të jetë e pakompromis ndaj çfarëdo forme të dhunës ndaj fëmijëve.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Dhuna është e patolerueshme dhe e dënueshme.

Me keqardhje kemi pranuar lajmin për rastin e ndodhur në një Kopsht privat në Mitrovicë, për

dhunën e ushtruar ndaj një fëmije nga një edukatore e këtij kopshti.

Menjëherë pas pranimit të informatës, Inspektorati i Arsimit e ka inspektuar këtë institucion parashkollor dhe është informuar se edukatores në fjalë i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Sipas legjislacionit në fuqi dhuna është e dënueshme dhe rasti tashmë është denoncuar edhe në organet e hetuesisë.

Uroj që ky të jetë rasti i fundit i ngjashëm në cilindo institucion eduaktivo-arsimor dhe përgjithësisht i dhunës ndaj fëmijëve.

Si ministre e Arsimit zotohem se do të jemi të pakompromis ndaj çfarëdo forme të dhunës ndaj fëmijëve. /KultPlus.com

Të ngjajshme