1 Gusht, 2025 - 3:30 pm
Eklipset diellore gjithmonë kanë ndezur imagjinatën e njerëzimit, që nga kohët e lashta kur shiheshin si shenja hyjnore, deri tek sot ku janë ngjarje madhështore astronomike që tërheqin miliona sy drejt qiellit. Por së fundmi, kjo magjepsje është kthyer në konfuzion, pas përhapjes së një lajmi të rremë në rrjetet sociale: se më 2 gusht 2025, do të ndodhë një eklips total diellor që do ta zhysë të gjithë Tokën në errësirë për gjashtë minuta.
Sipas këtyre postimeve, ky eklips thuhet të jetë i fundit i këtij lloji për njëqind vjet dhe pritet të jetë një nga më dramatikët në histori. Disa faqe madje kanë sugjeruar që njerëzit të përgatiten për “errësirë totale”, si një ngjarje pothuaj apokaliptike.
Por çfarë thotë NASA dhe ekspertët e astronomisë?
NASA dhe astronomët e institucioneve ndërkombëtare kanë sqaruar qartë se më 2 gusht 2025 nuk do të ndodhë asnjë eklips diellor, as i pjesshëm dhe as total. Kjo datë është pjesë e një keqinformimi që ngatërron ngjarjen e vërtetë që do të ndodhë më 2 gusht 2027, një eklips total, dhe një nga më të gjatët e këtij shekulli.
Ky eklips do të jetë i dukshëm në disa vende të botës si: Spanja jugore, Afrika veriore (përfshirë Marokun, Algjerinë, Tunizinë, Libinë, Egjiptin), Lindja e Mesme (pjesë të Arabisë Saudite, Jemenit), Afrika Lindore (Sudani dhe Somalia). Në qytetin e Luxor, Egjipt, eklipsi total do të zgjasë deri në 6 minuta e 23 sekonda, duke e bërë një nga më të gjatët që do të ndodhin gjatë gjithë shekullit XXI.
Megjithatë, errësira do të ndodhë vetëm në një korridor të ngushtë, afërsisht 160 kilometra i gjerë, ku kalon hija e Hënës. Pjesa tjetër e botës, përfshirë Europën dhe Azinë, do të përjetojë eklips të pjesshëm, ndërsa shumica e Tokës nuk do ta vërejë fare./TheEconomicTimes/KultPlus.com