3 Qershor, 2025 - 1:50 pm
Festivali i filmit “Ekrani i Artit”, një nga eventet më të rëndësishme kulturore të Shkodrës, do të vijojë rrugëtimin e tij me edicionin e tetë.
“Ekrani i Artit” do të zhvillohet prej 18-22 qershor me edicionin e titulluar “Kartolina nga Askund”, një ftesë për të humbur rrugën në ëndrra të largëta e vende që ekzistojnë vetëm në imagjinatë. Çdo imazh është një kujtim nga diku tjetër, një dritare drejt së panjohurës, një ndjesi që s’ka emër.
Shkodra Elektronike dhe tingujt e ëndërrtë të “Askund” do të shoqërojnë këtë udhëtim të pazakonshëm.
“Ekrani i Artit” ka lindur si një projekt që synon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë. Edhe në edicionet e mëhershme, “Ekrani i Artit” e ka njohur publikun me autorë, dokumentarë mbi jetën e krijimtarinë e artistëve bashkëkohorë që zgjojnë interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës./atsh/KultPlus.com