Ekspertët zhvillojnë vizitë pune në Kompleksin ‘Adem Jashari’, MKRS: Historia e familjes Jashari do të rrëfehet ashtu siç e meriton

6 Prill, 2022 - 1:22 pm

Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor kanë zhvilluar vizitë punë në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, përcjell KultPlus.

Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministri i planifikimit hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndër-ministor.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:

Historia e familjes Jashari do të rrëfehet ashtu siç e meriton, në mënyrë dinjitoze dhe me krenari.

Komisioni i ekspertëve i angazhuar nga Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari, në përbërje të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, gjatë javës së kaluar kanë zhvilluar vizitat në terren në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor, të udhëhequr nga historiania e arkitekturës dhe eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore, dr.Amra Haxhimuhamedoviç kanë zhvilluar vizitë pune në kompleks, duke u takuar dhe biseduar me familjarët, duke parë nga afër vendin dhe mbledhur dokumentacion për të zgjeruar më tej hulumtimin në fushat specifike lidhur me Kompleksin.

Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministri i planifikimit hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndër-ministor.

Komisioni i ekspertëve gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë me punën në përgatitjen e detyrës projektuese për shpalljen e konkursit për master planin e Kompleksit./ KultPlus.com

Të ngjajshme