Ekspertja e OKB’së: Kushte çnjerëzore në kampet e Sirisë

9 Shkurt, 2021 - 9:05 am

Në kampe të paraburgimit në verilindje të Sirisë ndodhen gra dhe fëmijë nga 57 shtete, tha të hënën, Fionnuala Ni Aolain, një eksperte e Kombeve të Bashkuara.

Ajo tha se ata po jetojnë në “kushte çnjerëzore” në kampet Al-Hol dhe Roj, që drejtohen nga forcat kurde dhe iu bëri thirrje shteteve të bëjnë riatdhesimin e menjëhershëm të tyre. Sipas saj në kampe janë mbi 64.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

“Shumë prej tyre po përjetojnë një sërë shqetësimesh në lidhje me të drejtat e njeriut. Shtetet duhet të veprojnë në mënyrën e duhur”, u tha ajo gazetarëve në Gjenevë, përmes video-lidhjes.

“Në shprehim shqetësimin se kushtet në këto kampe mund të arrijnë pragun e torturave, trajtimit çnjerëzor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha Ni Aolain.

Fionnuala Ni Aolain është Raportuese e Posaçme për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër terrorizmit në zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Ajo tha se thirrja e saj mbështetet edhe nga dhjetëra ekspertë tjerë të pavarur.

Zyrtarja e OKB-së tha se për këtë çështje u ka shkruar vendeve, përfshirë Australinë, Bangladeshin, Belgjikën, Britaninë, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Pakistanin, Rusinë, Zvicrën, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Duke u thirrur në shifrat nga qershori i vitit 2020, ajo tha se kampi Al Hol mban rreth 64,000 njerëz, nga të cilët më shumë se 80 për qind ishin gra dhe fëmijë. Rreth 48 për qind e personave në këtë kamp janë irakianë, 37 për qind janë sirianë dhe 15 për qind janë shtetas të vendeve të treta.

Të huajt janë familje të xhihadistëve të grupit militant të ashtuquajtur Shteti Islamik (IS), i cili vuri nën kontroll pjesë të Irakut dhe Sirisë më 2014, por u mposht në vitin 2019. Banorët irakianë dhe sirianë të kampit u larguan nga luftimet e mëvonshme midis IS dhe forcave kurde.

Ajo tha se shtetet nuk duhet të përdorin pandeminë si arsyetim për të mos riatdhesuar shtetasit, duke shtuar se disa vende tashmë e kishin bërë këtë me sukses./ AFP / KultPlus.com

Të ngjajshme