Ekspozita “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976” e etnografes së njohur suedeze, Ann Christine Eek, do të hapet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

3 Dhjetor, 2019 - 8:04 pm

Ekspozita “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976” e fotografes dhe etnografes së njohur suedeze, Ann Christine Eek, do të hapet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.com

Më 5 dhjetor 2019, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të bëhet ceremonia e hapjes së ekspozitës së fotografes, shkrimtares dhe pedagoges nga Suedia, znj. Ann Christine Eek, e titulluar “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976.”

E shkolluar për fotografi, nën mentorimin e fotografit më të njohur të Skandinavisë, Christer Strömholm, znj. Eek është një fotografe e shkëlqyeshme: ajo studion, hulumton dhe shkruan, merr pjesë në debate dhe ka shkruar kritikë për ekspozitat e fotografëve tjerë.

Ann Christine Eek më 1976, së bashku me etnografen dhe mikeshen e madhe shqiptare, Berit Backer, vizitoi për herë të parë Kosovën për të përcjellë jetën dhe zakonet e familjeve shqiptare në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit. Gjatë qëndrimit në vendin tonë ajo dukumentoi përmes mijëra fotografive mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Kosovë. Puna e tyre në Isniq, një vit më vonë editohet në televizionin suedez.

Sot, si dokumentim i një rëndësie historike, nëpërmjet 50 fotografive bardh e zi, Ann Christine Eek na tregon se si dukej jeta e përditshme në një fshat të Kosovës në vitin 1976.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 13 janar 2020, dhe Ministria e Kulturës fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në ceromoninë e hapjes. / KultPlus.com\

Të ngjajshme