Ekspozitë me dokumente origjinale të Gjergj Fishtës në Lezhë

23 Tetor, 2021 - 9:30 pm

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i është bashkuar sot aktivitetit të organizuar nga bashkia Lezhë me një ekspozitë për 150-vjetorin e lindjes së poetit kombëtar At Gjergj Fishta.

Ekspozita përmban dokumente origjinale nga veprimtaria krijuese e At Gjergj Fishtës si dhe mjaft fotografi nga fototeka e Arkivit. Disa prej dokumenteve të paraqitura ishin melodrama e Gjergj Fishtës “Mesija, adhrue prej barive”, dorëshkrime të poezive të ndryshme të shkëputura prej poemave të tij, “Anxat e Parnasit” dorëshkrim në vargje i veprës satirike nga Gjergj Fishta, viti 1907, vepra “Lahuta e Malcis”, dorëshkrim i vitit 1934 dhe dokumente të tjera.

Aktiviteti mbi përkujtimin e figurës së poetit u zhvillua në Pallatin e Kulturës ku të pranishëm ishin përfaqësues të klerit katolik, personalitete nga institucione qendrore dhe lokale, përfaqësues nga komunitet fetare, akademikë e studiues të Fishtës si dhe shumë të tjerë.

Fjalë në simpozium mbajti kryetari i bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, poeti Rodolf Marku, Patër Pashko Gojçaj provincial i Provincës Franceskane “Zojës Nunicatë”, prof.dr.Sabri Hamit, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave prof.as.dr. Ardit Bido dhe studiuesi prof.as.dr.Vinçens Marku.

Në përfundim të aktivitetit në Pallatin e Kulturës u shpërndanë edhe çmimet e konkursit letrar kombëtar “Gjergj Fishta”.

Më pas, drejtori i DPA prof.as.dr. Ardit Bido prezantoi hapjen e Këndin Arkivor në Bibliotekën e Lezhës.

Bido tregoi rëndësinë e këtij këndi, lehtësitë që përfitojnë studiuesit apo dashamirësit e dokumenteve arkivore.

Ky Kënd Arkivor është Këndi i 22-të i çelur nga DPA i cili vjen falë bashkëpunimit me bashkinë e Lezhës dhe Bibliotekën e qytetit./KultPlus.com

Të ngjajshme