Eliot Engel mban seancën e fundit për Ballkanin, ka një dedikim për Kosovën

9 Dhjetor, 2020 - 11:02 am

Kongresisti amerikan dhe miku i madh i Kosovës, Eliot Engel, të martën e udhëhoqi seancën e fundit dëgjimore për Ballkanin. Me këtë rast, ai ia kushtoi disa fjalë zemre Kosovës.

“Sot e udhëhoqa seancën e fundit dëgjimore për Ballkanin. Kam luftuar për liri, pavarësi dhe drejtësi për popullin e Kosovës që nga koha kur për herë të parë erdha në Kongres. Kosova gjithmonë do të ketë një vend të veçantë në zemrën time”, tha ai.

Fjalët e kongresistit Engel i citoi faqja zyrtare e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme në Tëitter, shkruan Gazeta Express.

Në postimin është bashkëngjitur edhe një link që tregon pse Engel është shumë i lidhur me Kosovën dhe pse respektohet aq shumë në vendin tonë.

Aty thuhet se emrin e Eliot Engel e mbajnë rrugët në Kosovë, ndërsa figura e tij është e shtypur në pullat postare.

Engel ishte një ndër ligjvënësit e parë amerikanë që i kishte bërë thirrje administratës së ish-presidentit Clinton për të ndërhyrë me ushtri në Kosovë kundër forcave jugosllave të Sllobodan Millosheviqit.

Më vonë, ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë amerikane që ta njohë pavarësinë e Kosovës më 2008./ KultPlus.com

Të ngjajshme