21 Korrik, 2025 - 12:45 pm
Ylli amerikan i televizionit, Ellen DeGeneres, ka bërë paraqitjen e saj të parë publike që nga zhvendosja në Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se vendosi të zhvendosej në Angli ditën pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së.
Komediania dhe prezantuesja i tha një audience në Cheltenham, Gloucestershire, se jeta “është thjesht më e mirë” në Mbretërinë e Bashkuar.
Ellen tha se ajo dhe bashkëshortja e saj Portia de Rossi, po mendonin të martoheshin sërish në Angli, pas disa zhvillimeve në SHBA që synojnë të kthejnë prapa të drejtën për martesat homoseksuale, dhe se Amerika mund të jetë ende “frikësuese për njerëzit që të jenë vetvetja”.
Ellen ishte një nga emrat më të mëdhenj të televizionit amerikan për 30 vjet, falë emisionit të saj të përditshëm, serialit të saj komedik në vitet 1990 që mbante emrin e saj, prezantimeve të Oscar, Grammy dhe Emmy, si dhe për zërin e saj si Dory në filmin Finding Nemo, përcjellë KultPlus.
Pas anulimit të emisionit të saj, ajo zhvilloi një “turne të fundit” në SHBA në vitin 2024, dhe më pas bleu një shtëpi në Cotswolds, një zonë historike dhe piktoreske që shtrihet kryesisht në pjesë të Gloucestershire dhe Oxfordshire.
Të dielën, në teatrin Everyman në Cheltenham aty pranë, ajo ishte në një bisedë me gazetarin Richard Bacon, i cili e pyeti nëse raportet që ishte zhvendosur për shkak të Donald Trump ishin të vërteta. “Po”, u përgjigj ajo.
67-vjeçarja tha se ajo dhe De Rossi fillimisht kishin planifikuar të kalonin tre ose katër muaj në vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishin blerë atë që mendonin se do të ishte “një shtëpi me kohë të pjesshme”.
“Erdhëm këtu një ditë para zgjedhjeve dhe u zgjuam me shumë mesazhe nga miqtë tanë me emoji që qanin, dhe unë thashë, ‘Ai fitoi’,” tha ajo. “Dhe thamë, ‘Do qëndrojmë këtu’.”
Gjatë turneut të saj të fundit, ajo bëri shaka duke thënë se ishte “përjashtuar nga industria e argëtimit dy herë”, hera e parë kur shpalli hapur se ishte homoseksuale në vitin 1997.
Kjo çoi në mënyrë të efektshme në përfundimin e serialit të saj, pasi reklamuesit u tërhoqën dhe televizioni ndaloi promovimin e tij, u tha Ellen të pranishmëve në Cheltenham të dielën.
Ellen iu referua gjithashtu një vendimi të fundit të Konventës Baptiste të Jugut, e cila mbështeti përmbysjen e një vendimi të Gjykatës së Lartë që lejon martesat e së njëjtës gjini. Të paktën nëntë legjislatura shtetërore në SHBA kanë paraqitur projektligje për të bërë të njëjtën gjë.
“Kisha Baptiste në Amerikë po përpiqet të përmbysë martesat gay,” tha ajo. “Ata po përpiqen ta ndalojnë realisht që të ndodhë në të ardhmen dhe ndoshta edhe ta kthejnë pas. Portia dhe unë po e shqyrtojmë këtë, dhe nëse e bëjnë, do të martohemi këtu.”
Më vonë, si përgjigje ndaj një pyetjeje nga publiku, ajo shtoi: “Do të doja të ishim në një pikë ku të mos ishte frikësuese për njerëzit që të jenë vetvetja. Do të doja të jetonim në një shoqëri ku të gjithë mund të pranonin njëri-tjetrin dhe ndryshimet mes nesh. Kështu që, derisa të arrijmë aty, mendoj se është e vështirë të thuhet se kemi bërë përparim të madh.”/BBC/KultPlus.com