Elva Margariti: Bileta falas në disa qytete të Shqipërisë për qytetarët që vizitojnë objektet kulturore

31 Korrik, 2020 - 9:55 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se janë marrë disa masa në mbështetje të qytetarëve që duan të vizitojnë zona kulturore.

Ajo bëri një lidhje me “Skype” për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus” dhe deklaroi se në Gjirokastër dhe Krujë ofrohen bileta falas për qytetarët, transmeton KultPlus.

Margariti specifikoi se numri i biletave është i limituar.

“Kemi ulur çmimet, edhe ato simbolike, kemi shtuar edhe të katërta të dielat e muajit falas. Kjo ofron gjithmonë më tepër familjet, sidomos në parqet arkeologjike. Një nismë tjetër është ajo e marrëveshjes së nënshkruar me disa bashki ku ka më shumë vizitorë duke ju ofruar atyre bileta falas që shkojnë drejt njësive akomoduese të këtyre qyteteve. Marrëveshjet i kemi kryer me Gjirokastrën, Krujën dhe së shpejti edhe me Beratin”, u shpreh ajo.

Ministrja foli edhe për ecurinë e punimeve në objektet kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.  

“Ka filluar puna për vënine në stabilitet për disa prej këtyre monumenteve, sin ë Krujë, ashtu edhe në Durrës. Faza e emergjencës është duke u kryer ndërkohë, kjo në fakt edhe nga donatorët e vendeve të huaja. Kemi mbështetje edhe nga qeveria amerikane. Është një program shumë i gjerë. Shteti ka marrë përsipër të kryejë të gjithë projketet e zbatimit të restaurimit për fazën e parë, ndërsa pjesën e implementimit, presim punë ditësh ose javësh që Komisioni Evropian, mbështet trashëgiminë kulturore dhe arsimin. Në rastin e trashëgimisë do të kemi një fond prej 50 mijë eurosh. Kemi punime në shumë monumente në territor” deklaroi tutje Margariti. / KultPlus.com

Të ngjajshme