Emërimi i Nolit peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare, 104 vjet më parë

27 Korrik, 2023 - 9:00 am

Më 27 korrik 1919, Fan Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Figura e Nolit pranë atdhetarëve të tij në Amerikë po fitonte rritje te menjëhershme duke i përfaqësuar ata si kryeredaktor i gazetës “Dielli” në Boston. Noli, themelues i revistës “The Adriatic Review” dhe kryetar i Federatës “Vatra” (1917-1918), do të merrte edhe administrimin e drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Nën mbështetjen e Sinodit rus dhe nën ovacionin e bashkatdhetarëve të tij, të cilët kumbonin me parrulla si: “E duam sot Peshkop, mjaft duruam talljet e të tjerëve. Tani të vishet Peshkop!”, Noli u zgjodh i pari peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Fan Noli nuk reshti së punuari për komunitetin e tij, jo vetëm si klerik, por edhe duke milituar për çështje me rëndësi kombëtare, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një fotografi ku Noli paraqitet  me veshje klerikale ortodokse./ATSH/KultPlus.com

Të ngjajshme