3 Maj, 2025 - 8:53 pm
Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja u shpall kampione bote në Botërorin e Peshëngritjes për moshat deri 17 vjeç që po mbahet në kryeqytetin e Perusë, Lima.
Kjo është hera e parë që Shqipëria fiton medalje ari për të rinjtë në një kompeticion të tillë, ndërsa sportistja ka dominuar në pedanë dhe veç titullit kampione bote në shkëputje, shtytje dhe dygarësh, ka thyer edhe tre rekorde evropiane duke përmirësuar peshat e ngritura.
Sipas medieve, Carja jo vetëm që fitoi medalje ari në peshën deri në 64 kilogramë, por mori edhe medalje të bronztë në stilin e shkëputjes pas dy sportisteve nga Kina. Në stilin e shkëputjes Carja ngriti 98 kilogramë, duke përmirësuar edhe rekordin evropian që më herët ishte 97 kg për moshat deri në 20 vjeç.
Peshëngritësja Carja ngriti me radhë 94, 97 dhe 98 kilogramë në shkëputje, për të merituar medaljen e parë të artë. Më pas triumfoi edhe në shtytje, teksa finalizoi me sukses provat me 110, 113 dhe 115 kilogramë. Me 213 kilogramë në total, sportistja kuqezi koleksionoi gjithashtu edhe medalje ari në dygarësh, duke e mbyllur si kampione e trefishtë e botës për U-17.
Lidhur me suksesin e peshëngritës shqiptare ka reaguar edhe ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila tha se kjo është hera e parë që Shqipëria fiton medalje ari për të rinjtë në Botëror, me Carjan që është futur në historinë e peshëngritjes.
“Urime Enkileda Carja, Kampione Bote e Trefishtë dhe krenaria jonë kuqezi! Enkileda ngriti flamurin shqiptar më lart se kurrë, duke fituar medaljen e artë në Botërorin e Peshëngritjes U17 dhe duke thyer 3 rekorde evropiane për të rinjtë”, tha Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Muzhaqit, kampionia nga Elbasani e përfaqësoi vendin me dinjitet, forcë dhe përkushtim, si një shembull frymëzues për të rinjtë në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com