Epitaf dashurie…

19 Gusht, 2022 - 6:59 pm

Fitim Uka

E kam shëtitur çdo cep të frikës i motivuar nga guximi që më ka falur dashuria jote.
E kam sfiduar edhe marrëzinë duke ia prekur kufinjtë, sepse kam jetuar gjatë me përrallën për ne të dy. 
Tallesha me vuajtjen, sepse me iluzionin që ushqeja për “ne të dy”, fluturoja qiejve në kërkim të fundit të lumturisë. 
Kam jetuar ëndrrat më të mira, kur dora jote ka rrëshqitur flokëve të mi, qoftë edhe rastësisht. 
Shpresë kam ndjerë edhe në fjalën tënde më të vrazhdë, edhe në mallkimin tënd për realitetin e pamëshirshëm. 
Edhe kur ëndrra jote më shihte të vdekur, ndjehesha më i gjallë se kurrë!
Kurajo ka rrjedhur damarëve të mi, kur kam dëgjuar edhe pa u thënë një uratë nga ty, e të mos flasë për ndjenjën që jetoja kur dëgjoja për dashurinë tënde. 
Jam mahnitur edhe kur imagjinoja fytyrën tënde, e as që i përafrohej asaj që shihja në realitet, deri në admirim për dy sy, që flasin më shumë se fjalët. 
Isha kurioz për të gjitha të fshehtat tua dhe asnjë zbulim nuk më shuantë kurrë kurreshtjen e dëshirën për të njohur edhe më shumë. Më dukeshin të padëgjuara të gjitha historitë që i kisha dëgjuar kaherë për ty.  
Qetësinë ma ka falur edhe zhurma jote, e pa heshtjen tënde as zëri im nuk ka kuptim! 
 
Me ikjen tënde, më ofrove edhe më shumë me pellgun e ndjenjave që vrasin.  
 
I kam rënë rreth e qark pikëllimit, kur më iku hija jote. 
E harrova edhe atë ngjyrë gëzimi, kur më verbëroi mungesa e syve tu.
E godita lumturinë, e copëtova, e bëra të huaj, kur harrova erën tënde. 
Shpresën e venita, e flaka tutje, kur nuk më kujtohej më zëri yt.
Mllefin shfryva në secilin, edhe të pafajshmit, kur në përulje u përpoqa të të bindja që të qëndroje.
Dëshpërimin e ftova në darkë, të më bëjë shoqëri, atë ditë kur le karrigen e zbrazët. 
Mërzinë e ftova në shtratin tim, e përqafova me gjithë fuqinë time, për t’i dhënë fund përrallës që jetova ditën, e për t’i hapur rrugë realitetit të ëndrrës që shoh natën me sy mbyllur.  
Tash, ankthi është miku im, teksa mes përplasjeve të shpejta të zemrës dhe frymëmarrjeve që duket se po marrin fund, unë pres të shoh edhe për një herë tjetër fytyrën tënde.

Çfarë të them atë ditë?!
Cilën ndjenjë do ta ushqej atëherë?!
Të shtirren sikur kam harruar apo ta pranoj që jam i harruar pa ty?! /KultPlus.com

Të ngjajshme