“Është normale nëse nuk ndjeheni mirë” në kohë të pandemisë

19 Prill, 2020 - 5:29 pm

“Kjo është një lloj situate që e shpërthen atë fluskën tuaj të mbrojtjes”, thotë Andreas Kappes, psikolog në Universitetin e Londrës, duke iu referuar gjendjes që ka krijuar pandemia e koronavirusit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kappes thotë se kjo është një situatë që “na lejon të ndjehemi joproduktivë”, ndërsa atyre që reagojnë me “ankth të ekzagjeruar ndaj pasigurisë”, ai u sugjeron të kërkojnë ndihmë nga profesionistët shëndetësorë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Kappes, njerëzve në gjithë botën po u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të vetizolohen, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Por, për shumë prej tyre kjo është edhe një barrë në shëndetin mendor. Cila do të ishte këshilla juaj kryesore?

Andreas Kappes: Para së gjithash, është disi e pritshme të ndjehesh më i mërzitur në këtë kohë. Ka ndryshime dramatike, ka pasiguri dhe ne duhet të qëndrojmë në shtëpi. Një nga sfidat më të mëdha dhe më evidente është zëvendësimi i kontakteve shoqërore që i kemi. Ne shpesh e nënvlerësojmë se sa shumë varet mirëqenia jonë nga kontaktet e përditshme shoqërore, si: biseda me një koleg pranë aparatit të kafesë apo me një bashkudhëtar në tren.

Por, tani ne duhet t’i zëvendësojmë këto kontakte dhe t’i bëjmë online. Për shembull, t’i thërrasim më shpesh prindërit dhe miqtë. T’iu tregojmë si e kemi kaluar ditën, çfarë po bëjmë, çfarë po mendojmë. T’i thërrasim edhe nëse nuk kemi asgjë interesante për të treguar.

Pastaj, nëse nuk mund të punoni nga shtëpia, gjeni një projekt, gjeni diçka që mund të bëni dhe në këtë mënyrë do të keni një synim dhe kontroll mbi jetën tuaj. Mos e fusni kokën në rërë dhe të injoroni gjithçka. Kjo nuk është mirë. Kjo e rrit ankthin.

Por, po ashtu mos besoni se pasiguria dhe ankthi do të zhduken, nëse dëgjoni apo lexoni një lajm më shumë. Mendoj se gjetja e balancës së duhur është vërtet e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: Të dhënat në disa vende tregojnë se dhuna familjare është në rritje dhe se ajo mund të jetë rezultat i urdhrave për të qëndruar në shtëpi. Si e ndikon kjo situatë shëndetin e një familjeje?

Andreas Kappes: Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, por, sipas mendimit tim, nëse përjetoni dhunë familjare, duhet të largoheni. Edhe nëse jeni në vetizolim.

Radio Evropa e Lirë: Secili ka një mekanizëm të vetin për të përballuar ankthin. Disa e shprehin me çrregullime të gjumit, të tjerët me çrregullime të ngrënies…

Andreas Kappes: Ata që kanë çrregullime të gjumit ose ushqimit janë kryesisht njerëz që reagojnë me ankth të ekzagjeruar ndaj pasigurisë. Atyre do t’iu rekomandoja fuqishëm të kërkojnë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor. Por, mos të harrojmë se ka shumë prej nesh që, në njëfarë mënyre, mësohen me pasiguri dhe qetësohen shpejt. Andaj, nëse nuk keni histori të çrregullimeve mendore, por ndjeheni të shqetësuar, nervozë, të lodhur, përpiquni të mendoni se kjo situatë do të qetësohet në javët e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: A mund të kontrollohet paniku ose ankthi?

Andreas Kappes: Nëse shkoni në terapi, ju mësoni teknika për ta kontrolluar. Por, nuk është në rregull t’i thuhet secilit: ‘ti mund ta kontrollosh ankthin’, ‘ti mund t’i kontrollosh ndjenjat tuaja në çdo situatë’. Nganjëherë na duhet ndihmë shtesë për ta bërë këtë. Situata nëpër të cilën po kalojmë, është e pazakonshme dhe nëse e gjejmë veten në një situatë ku nuk mund të punojmë apo të përqendrohemi, duhet t’ia falim vetes. Është situatë që na lejon të ndjehemi joproduktivë.

Radio Evropa e Lirë: Po thoni se është normale nëse njerëzit ndjehen të frikësuar ose në ankth?

Andreas Kappes: Është normale nëse nuk ndjeheni mirë. Kjo është një lloj situate që e shpërthen atë fluskën tuaj të mbrojtjes. Nëse ndjeheni të shqetësuar ose në ankth, mos e injoroni këtë gjendje, pranojeni dhe lëvizni përpara.

Radio Evropa e Lirë: Po çfarë për punonjësit e kujdesit shëndetësor? Ata janë në vijën e parë të frontit në këtë krizë…

Andreas Kappes: Nuk është një metaforë perfekte, por të qenët në front të parë është një gjuhë që përdoret për veteranët e luftës. Dhe, punonjësit shëndetësorë janë në pozitë të njëjtë. Ata përjetojnë çdo ditë ngjarje traumatike, duke parë njerëz që vdesin. Nganjëherë duhet të zgjedhin edhe kë të ndihmojnë. Thjesht, presion pa masë. Kur ne flasim për shëndetin mendor, punonjësit shëndetësorë duhet të jenë prioritet, sepse stresi, ankthi dhe lodhja që përjetojnë tani, mund të kenë ndikim afatgjatë në mirëqenien e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, çfarë na pret kur të mbarojë e gjithë kjo? A do të jemi akoma në gjendje shoku?

Andreas Kappes: Mendoj se varet nga ajo se sa zgjat pandemia. Por, nëse i shohim situatat pas epidemive të mëparshme, si SARS-i apo gripi i derrave, vërejmë se ato nuk kanë qenë aq të rënda./rel/ KultPlus.com

Të ngjajshme