16 Korrik, 2025 - 12:36 pm
Në natën e gjashtë të Etno Fest 2025, publiku pati mundësinë të shijojë një program të larmishëm artistik me theks në trashëgiminë kulturore dhe identitetin gjinor.
Në programin e traditës u prezantua SHKA “Dibra e Madhe”, e drejtuar nga Miço Duka. Grupi i burrave vallëzoi katër variante të valles dyshe, një formë e rrallë e trashëguar brez pas brezi, që ruhet prej shekujsh si manifestim i jetës dhe festës.
Në pjesën teatrore, u dha drama “Jam unë ajo”, me autore Valmira Thaqi dhe Diturie Neziraj. Në qendër të shfaqjes ishte beteja për identitetin e gruas. Dy gra lehona shpalosën natyrën e gruas së ndrydhur në paragjykim, me theks te “barra” e të qenurit nënë dhe përpjekja për të formësuar identitetin GRUA. Kujdesi, frika dhe dashuria shfaqen përmes një trajtimi paragjykues që, jo rrallë, nis që në djep.
Drama ngre pyetjen thelbësore: Nëse nëna është “doktor i zemrës së fëmijës e burrit”, kush është doktor i zemrës së saj? Ritmi i lojës i përgjigjej monotonisë së përditshmërisë së përsëritshme – një jetë e stereotipizuar e gruas në sytë e të tjerëve.
Drama “Jam unë ajo” shtron dilemën se kur është momenti për të kapur dimensione të tjera të jetës jashtë obligimeve të të qenit nënë dhe bashkëshorte, në një kohë kur karriera personale dhe mëvetësia ende konsiderohen arsye për divorc. Mbase pyetja më thelbësore që shtrohet është: a është fëmija esenca e martesës, apo është dashuria që e mirëmban qenien e gruas si identitet në çdo raport njerëzor?
Aktorët Semira Latifi dhe Tringa Hasani tipizuan karakteret e dy grave të ndryshme në formim, por të njëjta në problem. Regjisori Erson Zymberi e kishte zbërthyer mirë materien letrare përmes shenjave teatrore, ndërsa skenografia dhe kolonat muzikore ishin në funksion të plotë të shtjellimit të temës.
Drama është shkruar nga Valmira Thaqi dhe Diturie Neziraj, ndërsa regjia mban firmën e Erson Zymberit. Rolin e dy grave e sollën në skenë aktoret Tringa Hasani dhe Semira Latifi. Skenografia u realizua nga Bekim Korça, kostumet nga Njomëza Luci, ndërsa koreografia u përgatit nga Gjergj Prevazi. Për kompozimin e muzikës u kujdes Tomor Kuçi dhe ndriçimi u realizua nga Burim Baftiu.
Mbrëmja u përmbyll me atmosferën festive të “Etno Neja”, ku mysafirët u argëtuan nga Florent Abrashi dhe DJ Filip.
Programet artistike, takimet midis artistëve dhe spektatorëve, debatet, fotografitë, vallëzimet, këngët dhe ushqimet tradicionale po e formësojnë identitetin e kompleksit të Etno Festit, i cili po shndërrohet në një pikëtakim të vlerave kulturore dhe artistike në nivel kombëtar./KultPlus.com