11 Qershor, 2025 - 5:05 pm
Etno-muzikali “Zare” mbushi mbrëmë sallën e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.
“Zare” është një nga shfaqjet më të bukura të repertorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky etno muzikal ngjitet në skenë me gjithë fuqinë e këngës, valles dhe traditës, për të sjellë një histori dashurie mes dy të rinjve dhe na kthen pas në kohët kur dashuria jetonte në gjeste të vogla dhe këngë të mëdha.
Publiku këndoi së bashku me artistët e Ansamblit Popullor. “Zare” u interpretua nga solistët: Aranit Hoxha, Mariana Shkreta, Reji Berisha, Denisa Gjezo Xhemnica, Genci Kastrati dhe Gëzim Halili, nën shoqërimin e Orkestrës, Korit dhe grupit vokal të Ansamblit Popullor.
Koncerti “Zare” u realizua nën drejtimin muzikor të Edi Xhanit dhe koreografinë e Andrea Kokerit. Kjo vënie në skenë solli traditën shqiptare në një format modern, plot energji, emocione dhe festë./atsh/KultPlus.com