Fahrije Hoti pranon çmimin ‘Evropianja e Vitit’, BE-ja “të bashkuar në premtime” për Kosovën

10 Maj, 2022 - 9:00 am

Uranik Emini

Mbrëmë në Bibiliotekën Kombëtare të Kosovës është shënuar Dita e Evropës, me ç’rast Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës i ka ndarë edhe çmimin tradicional “Evropiania e Vitit”, Fahrije Hotit, ku fillimisht ishte bërë një thirrje që të votohet një individ apo instuticion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të fundit, andaj dhe Fahrije Hoti është votuar më së shumti për këtë emërtim, shkruan KultPlus.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e hapi këtë mbrëmje me një fjalim shumë të veçantë kushtuar Ditën së Evropës dhe rëndësisë që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për BE-në.

“9 maji është dita e kremtimit të unitetit dhe fatit të përbashkët të Unionit tonë dhe partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë frymë, këtë vit duam të shprehim mirënjohjen ndaj evropianëve të shumtë që na ndihmuan ta kapërcejmë krizën e koronavirusit dhe që çdo ditë punojnë për ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë. Siç ka thënë Robert Schuman: Evropës i duhet një shpirt, një ideal, dhe vullenti politik për t’i shërbyer këtij ideali. BE-ja i ka vënë në jetë këto fjalë, duke u përballur e bashkuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe agresionin aktual rus kundër Ukrainës”.

Szunyog e falënderoi Qeverinë e Kosovës për rrështimin e kësaj të fundit me BE-në, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe gatishmërisë së tyre për të mirëpritur e strehuar efugjatë dhe gazetarë nga Ukraina.

“Dua të theksoj se kjo ditë na përket të gjithëve. Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa u përket qytetarëve të BE-së dhe përfaqëson kremtimin e vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë unitetin, solidaritetin, paqen, demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Këto nuk janë fjalë të zbrazëta, por vlera themelore të përbashkëta për të gjithë popujt e Evropës, që i kanë sjellë kontinentit tonë prosperitet të padëgjuar më parë në historinë tonë. 

Ambasadori theksoi se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe nuk ka alternativë tjetër.

“Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë, ndërkohë që agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet tona të përbbashkëta për avancim në rrugën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

Ai u shpreh krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë e mbylli këtë fjalim duke uruar Ditën e Evropës.

Pas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ftua për një fjalim rasti, ku edhe bëri thirrje të vazhdueshme që tani është momenti më i përshtatshëm që Kosova të bashkohet në familjen e madhe evropiane.

“Pikërisht sot në këtë përvjetor po ballafaqohemi poashtu me një realitet të ri i cili është shumë ndryshe prej asaj që jemi mësuar, së paku qe dy dekada ta kemi në Evropë. Që nga 24 shkurti i këtij viti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij ta pushtojë Ukrainën, jemi duke jetuar një realitet të ri shumë të rrezikshëm dhe me plotë dhimbje nga ajo se çka po shohim dhe ajo që po e përjeton populli ukrainas sot”, deklaroi Konjufca.

Konjufca bashkëndjeu me Ukrainën, duke kujtuar edhe luftën e fundit në Kosovës.

“Siç e dini, populli dhe Republika e Kosovës ende i kanë të hapura plagët, e të freskëta dhimbjet dhe të paharrueshme traumat e përjetuara nga agresioni i Serbisë, si dhe nga pushtimi që u manifestua me gjenocid, prandaj mund të them se ne për së afërmi mund të bashkëndjejmë me përjetimet nëpër të cilat po kalon në këtë kohë të vështirë populli i Ukrainës. Unë dua të ritheksoj dhe t’iu bëjë thirrje përfaqësuesve evropianë se jemi në një moment përcaktues të integrimit evropian për Republikën e Kosovës, andaj pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi bashkë për ta mbrojtur e për ta përshpejtuar konsolidimin e projektit të Bashkimit Evropian duke e integruar edhe Kosovën, por së bashku edhe me 6 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian”.

I pari i Kuvendit përmendi edhe pjesën e orientimit të Kosovës përkrah vendeve të BE-së sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe adresimin e institucioneve të Kosovës me veprime konkrete në këtë drejtim.

“Ju ftoj që së bashku të kontribuojmë të gjithë që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë liberalizimin e vizave, për të cilën të drejtë aq shumë kemi punuar së bashku dhe jemi angazhuar për reforma sipas standarteve të nivelit evropian. Pa Kosovën, mozaiku i familjes së bashkuar të Evropës nuk mund të quhet i plotësuar, si dhe vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë të fuqishme themelet e BE-së’, përfundoi ai.

Në anën tjetër, pas dy fjalimeve erdhi edhe te momenti për të cilin ishin mbledhur të gjithë njerëzit në sallë, e që kishte të bënte me ndarjen e çmimit “Evropiania e Vitit” për Fahrije Hotin. Fillimisht u bë prezantimi i të nominuarve të tjerë dhe më pas u bë edhe dorëzimi i çmimit.

Hoti këtë çmim ia kushtoi gjithë grave të Kosovës, e sidomos ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët.

“Unë ndjehem shumë e privilegjuar sot këtë çmim. Ky çmim i dedikohet të gjitha grave të Kosovës. Të gjitha ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët. Sakrifica e grave të Krushës, bashkë me mua, ka qenë një rrugëtim i suksesit, nuk e kemi mendu dhimbjen për të kaluarën por të ardhmën e fëmijëve tanë. Faleminderit të gjithëve, ata që iu bashkuan këtij rrugëtimi, më votuan dhe më përkrahën, e unë sot jam e ndershme që jam pranë juve këtu”, përfundoi ajo duke falënderuar edhe një herë të pranishmit dhe mbështetësit.

Të izoluar në zemër të Evropës, qytetarët e Kosovës duhet të mbledhin dokumente për të cilat nuk kanë dëgjuar kurrë më parë, në mënyrë që të rrisin shpresën e tyre për të aplikuar për vizë. Përkundër faktit se shteti më i ri në Evropë mund të udhëtojë pa viza vetëm në katër shtete, më pak se çdo shtet tjetër në botë, megjithatë kjo nuk e pengon Kosovën që ta festojë vit pas viti 9 majin, Ditën e Evropës

Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave filloi në vitin 2012 kur Komisioni Evropian dorëzoi Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Por edhe pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë arritur që të marrin mbështeteje për liberalizimin e Kosovës, një premtim i tillë nuk i është plotësuar edhe Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme