Familja Haxhiu i dhuron Bashkisë së Korçës monografinë e piktorit të njohur Fatmir Haxhiu

30 Qershor, 2025 - 5:08 pm

Një akt i çmuar kulturor është realizuar në qytetin e Korçës, ku familja Haxhiu i ka dhuruar Bashkisë së Korçës monografinë e artistit të shquar shqiptar, Fatmir Haxhiu. Kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, e ka cilësuar këtë dhuratë si një vlerë të shtuar për trashëgiminë kulturore dhe artistike të qytetit.

“Një dhuratë me vlerë për qytetin! Faleminderit familjes Haxhiu për këtë kontribut të vyer për kulturën e qytetit tonë”, shkruan Filo në një postim në rrjetet sociale.

Botimi i monografisë së artistit do t’i shtohet fondit të Galerisë së Arteve si dhe Bibliotekës “Thimi Mitko”, duke pasuruar më tej ofertën kulturore të qytetit dhe duke e bërë më të aksesueshme për publikun figurën dhe veprën e artistit.

Fatmir Haxhiu lindi në Gjirokastër, më 28 dhjetor 1927 dhe u nda nga jeta në Tiranë, më 10 mars 2001.

U njoh herët me emrat më në zë të artit shqiptar si Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmin, Odise Paskali e Foto Stamo. Tema e luftës dhe qëndresa heroike e popullit shqiptar në shekuj do të bëheshin motivi kryesor i tërë krijmtarisë së artistit.

Fatmir Haxhiu, ishte një nga figurat më përfaqësuese të artit shqiptar të shekullit XX. I shpallur “Piktor i Merituar” dhe më vonë “Mjeshtër i Madh i Punës”, Haxhiu është i njohur për kontributin e tij në pikturën realiste, duke sjellë në tablo jetën e përditshme, punën, natyrën dhe simbolikën kombëtare. Ai ka qenë pjesë e brezit të parë të piktorëve profesionistë pas Luftës së Dytë Botërore, me një krijimtari të gjerë dhe vepra të ekspozuara në galeritë më të rëndësishme të vendit.

Monografia e tij përbën një dokumentim të pasur të jetës dhe veprës së tij, duke përmbledhur analiza kritike, materiale arkivore dhe riprodhime të veprave më të njohura.

Ky gjest vjen si dëshmi e ruajtjes së kujtesës kulturore dhe e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe trashëgimtarëve të artistëve të mëdhenj shqiptarë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme