Faqja e njohur artistike: Rama ndër liderët botërorë me një talent të habitshëm për artin

12 Shtator, 2023 - 1:56 pm

Natyrisht që politikanët njihen për aktivitetin e tyre politik dhe ndërsa shumë prej tyre fitojnë famë në fushën e diplomacisë, jeta e tyre private shpesh injorohet ose harrohet, shkruan Greg Beyer për faqen e njohur artistike ”The Collector”, botimet e së cilës citohen edhe nga Bloomberg, BBC, ”Washington Post”, Smithsonian, ”Getty Museum”, Wikipedia dhe shumë institucione arsimore në mbarë botën, përfshirë platformat studentore si ”Google Classroom”, ”Schoology”, ”Seesaw” dhe të tjera.

”Ndërsa dihet gjerësisht se Adolf Hitler tentoi të bëhej artist, ka ende shumë politikanë, përpjekjet artistike të të cilëve, janë relativisht të panjohura për publikun e gjerë. Këtu janë renditur gjashtë liderë botërorë me një talent të habitshëm për artin:

George W. Bush

I njohur më së shumti si presidenti i SHBA nga viti 2001 deri në 2009, George W. Bush mori penelin dhe filloi të pikturonte pasi mbaroi detyrën e tij.

Ai u frymëzua për ta bërë këtë pasi lexoi librin e Winston Churchill “Piktura si zbavitje”.

Në vitin 2013, motra e tij, Dorothy Bush Koch, ishte viktimë e hakerimit të llogarisë së postës së saj elektronike dhe disa imazhe të pikturave të George u vodhën. Sekreti i George u zbulua, por ai vendosi të përqafonte famën si piktor duke e sjellë artin e tij në sferën publike.

Ai ishte një piktor produktiv, repertori i temave të të cilit përfshinte natyra të qeta, qen dhe, më së shpeshti, portrete, të cilat u bënë të njohura. Në vitin 2017, ai botoi një koleksion të quajtur “Portrete të guximit”, një homazh për veteranët ushtarakë.

Në vitin 2021, ai publikoi një libër me portrete të titulluar “Nga shumë në një: Portrete të Emigrantëve të Amerikës”, në të cilin ai shfaq portretet e të huajve që erdhën të jetonin në SHBA. Shumë kritikë e kanë interpretuar punën e këtij politikani artist, dhe veçanërisht librat e tij, si deklarata politike. Megjithatë, arti i tij më vete, edhe pse disi i zakonshëm në koncept dhe ekzekutim, është mjaft i këndshëm për të sjellë një buzëqeshje në fytyrën e dikujt.

Winston Churchill

Winston Churchill u njoh me pikturën në vitin 1915. Atë vit, ai u konsiderua përgjegjës për fatkeqësinë e Betejës së Galipolit, në Luftën e Parë Botërore. Ai u lirua nga posti i tij dhe si rezultat u ul në detyrë.

Duke vuajtur nga depresioni, ai ishte me pushime familjare dhe u frymëzua nga kunata për të filluar të pikturonte. Në moshën 40-vjeçare nisi hobin si artist, i cili mbeti pasion deri në vdekjen e tij në 1965.

Gjatë gjithë karrierës së tij si artist dhe politikan në sferën e krijimit të shtetit dhe ushtrisë, ai merrte me vete kanavacën e tij kudo që shkonte, duke pikturuar në ajër të pastër.

Përmes hobit të tij, ai paraqiti vuajtjet gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ballafaqimi me nazistët u bë një prioritet gjatë gjithë kohës. Gjatë jetës së tij si piktor, Churchill prodhoi mbi 500 piktura, shumë prej të cilave ua dhuroi miqve dhe familjes. Një nga marrësit e dhuratave ishte Franklin D. Roosevelt.

Churchill nuk u mburr kurrë për artin e tij. Ai ishte amator dhe u referohej veprave të tij si “amatore”. Megjithatë, ai fitoi kënaqësi të madh duke pikturuar subjektin e tij të preferuar, peizazhet.

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shembulli i një artisti-politikan, i cili ka qenë artist përpara se të bëhej politikan. Babai i tij ishte skulptor, kështu që Edi vinte nga një familje ku arti nxitej si i tillë.

Ai filloi të pikturonte në moshë shumë të hershme dhe vazhdoi gjatë viteve të tij edhe si adoleshent.

Arti i tij ra në sy nga artistë të tjerë me ndikim në Shqipëri. Ai u diplomua në Liceun Artistik “Jordan Misja” me perspektiva të mëdha për t’u bërë artist profesionist. Rama u bë profesor i pikturës dhe dha mësim në Akademinë e Arteve të Tiranës gjatë ditëve të fundit të komunizmit në Shqipëri.

Në vitin 1998, ai hyri në politikë kur kryeministri shqiptar i kohës po riorganizonte kabinetin e tij dhe po kërkonte një ministër Kulture.

Edi Rama i përshtatej qëllimit dhe filloi karrierën e tij politike. Por, karriera e tij si artist nuk përfundoi. Në fakt, ajo mori një nxitje. Si ministër i Kulturës, të gjitha rrugët e artit ishin të hapura për Ramën.

Rama i ktheu banesat e zbehta të epokës komuniste të Tiranës në ndërtesa shumëngjyrëshe duke nisur kështu projekte arti që do ta kthenin qytetin në një testament unik të fuqisë së artit.

Më vonë, Edi u zgjodh kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe, më pas, kryeministër. Ai trashëgoi përgjegjësinë e të qenit njeriu më i fuqishëm në vend, por zyra e tij nuk është ajo që mund të pritet nga një burrë shteti i fuqishëm.

Francisco Franco

I njohur më së shumti si diktatori i Spanjës që sundoi vendin e tij nga viti 1936 deri në 1975, Francisco Franco ishte gjithashtu një piktor shumë i aftë.

Ai filloi të pikturonte menjëherë pas Luftës Civile të Spanjës. Si kreu i shtetit, atij iu desh të ulej për shumë portrete dhe seancat i dukeshin pafundësisht të mërzitshme. Dhe, për të hequr pak mërzinë, ai vendosi një pasqyrë pas piktorëve që të mund të shikonte se si pikturonin. Kur një nga piktorët, Alvarez de Sotomayor, la ngjyrat dhe penelat e tij pas një seance, Franco i mori ato dhe pikturoi një pamje të kopshtit. Kur Sotomayor u kthye për seancën tjetër, Franco i tregoi foton që kishte pikturuar. Sotomayorit i bëri përshtypje, duke i thënë diktatorit se duhet të vazhdonte të pikturonte.

Pra, kjo është pikërisht ajo që bëri Francisco Franco. Çdo pasdite mbyllej në dhomën e tij dhe pikturonte për orë të tëra.

Franco pikturoi peizazhe, kafshë të egra dhe portrete. Duke i bërë jehonë etikës së tij konservatore, ai urrente format jotradicionale të artit që u zhvilluan në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Franco braktisi pikturën në vitin 1961 duke pretenduar si arsye një aksident gjahu që e la të plagosur. Sidoqoftë, në këtë kohë, nipi i tij Francisco Franco Martinez-Bordiu vuri në dukje se diktatori plak kishte filluar të shfaqte shenja të Parkinsonit.

Ulysses S. Grant

Ulysses S. Grant njihet gjerësisht si gjeneral në Luftën Civile Amerikane dhe si presidenti i 18-të i SHBA. Megjithatë, ai është shumë më pak i njohur për artin e tij, në të cilin ai tregoi një sasi të konsiderueshme talenti.

Ky politikan artist e filloi botën e artit kur ishte në Akademinë Ushtarake “West Point”. Në atë kohë, aftësia për të vizatuar me saktësi ishte një aftësi e dobishme për oficerët ushtarakë. Hartat topografike ishin veçanërisht të rëndësishme dhe Grant zbuloi se ai kishte aftësi të konsiderueshme në ndjekjet artistike të skicimit të peizazheve.

Instruktori i vizatimit i Grant në “West Point”, Robert Walter Weir, ishte një artist i respektuar ndërkombëtarisht që studioi në SHBA dhe Firence. Puna e tij zbukuron Rotondën në Capitol Hill.

Skicat e Grant përfshinin peizazhe, kuaj, amerikanë vendas dhe një mori temash të tjera. Mjerisht, jo shumë prej veprave të tij kanë mbijetuar dhe duket se ai e braktisi artin e tij më vonë, pasi nuk e përmend kurrë në asnjë prej korrespondencës së tij.

Mbreti Charles III

Monarku në fuqi i Britanisë së Madhe e filloi hobin e tij të pikturës në vitet ‘70 nën drejtimin e mjeshtrit të tij të artit, Robert Waddell, në shkollën “Gordonstoun” në Skoci. Zona e shkollës kishte 200 hektarë tokë pyjore dhe bregdetare duke ofruar një mjedis të pasur për të pikturuar natyrën.

Të qenit trashëgimtar i fronit do të thoshte që Charles III nuk kishte probleme për të shfaqur artin e tij. Ekspozita e tij e parë ishte në vitin 1977, krahas artit të mbretëreshës Viktoria dhe Dukës së Edimburgut.

Duke punuar ekskluzivisht me bojëra uji, Charles III shpesh pikturon në natyrë dhe i përfundon pikturat e tij shpejt.

“Gjithçka kërkon përqendrimin më intensiv dhe, për rrjedhojë, është një nga ushtrimet më relaksuese dhe terapeutike që njoh. Në fakt, në rastin tim, më duket se më çon në një dimension tjetër, i cili, fjalë për fjalë, freskon pjesë të shpirtit që aktivitetet e tjera nuk mund t’i arrijnë”, shkruan mbreti Charles III.

Statusi social i Charles III do të thotë që pikturat e tij janë të njohura gjerësisht dhe janë shfaqur në të gjithë botën, duke u shfaqur në libra, kartolina dhe pulla poste. Të gjitha të ardhurat nga arti i tij shkojnë për bamirësi.

Në përgjithësi mund të bihet dakord se qeniet njerëzore janë komplekse në çdo aspekt. Megjithatë, me njerëz të famshëm, duke përfshirë politikanë, ne shpesh tentojmë t’i reduktojmë në figura dydimensionale në kokën tonë.

Politikanët që qeverisin vendet tona, fytyrat e të cilëve zbukurojnë ndërtesat publike në të gjithë vendin, kanë jetë private dhe hobi si gjithë të tjerët. Politikanët e famshëm që arrijnë status thuajse mitik në tekstet tona të historisë ndonjëherë patën një brez krijues që i shtynte të eksploronin imagjinatën e tyre përmes pikturës. Këto piktura bëjnë një rrugë të gjatë për të zbuluar natyrën e artistëve-politikanë, për jetën e të cilëve nuk dimë asgjë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme