FARDI FEST 2025 rikthen ngjyrat, zërat dhe shijet e Anadrinisë

6 Gusht, 2025 - 4:45 pm

Në Kompleksin Memorial në Gradish të Xërxës, më 6 dhe 7 gusht po mbahet edicioni i dytë i festivalit FARDI FEST 2025, i cili sjell në qendër të vëmendjes trashëgiminë kulturore të Anadrinisë, përmes aktiviteteve të shumta që bashkojnë brezat.

Me moton “Trashëgimia që bashkon brezat”, festivali ofron një program të pasur kulturor, artistik dhe argëtues. Pjesë e tij janë lojërat tradicionale, këndi i artit figurativ “Muri i Ngjyrave”, prezantimi i ushqimeve tradicionale nga zona, si dhe Muzeu i Luftës – një kujtesë e historisë së Anadrinisë.

Policia e Kosovës ka sjellë një program të dedikuar për fëmijë dhe familje, ndërsa nuk mungojnë as aktivitetet sportive dhe mundësia për bashkëlojë me yjet e basketbollit të Rahovecit.

Festivali gjithashtu promovon bizneset vendore dhe përmbyllet çdo natë me koncert festiv ku performojnë artistë të njohur të muzikës popullore.

FARDI FEST 2025 mbahet nga ora 18:30 deri në 00:00, dhe synon të jetë një pikë takimi për të gjitha gjeneratat që duan të ruajnë e të festojnë trashëgiminë kulturore të Anadrinisë./KultPlus.com

Të ngjajshme