Ferit Vokopola, shqiptari i rrallë e frymëzues

18 Gusht, 2020 - 7:00 pm

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, firmëtarin e pavarësisë, Ferit Vokopola.

“Ferit Vokopola u lind në Vokopolë të Beratit me 18 gusht 1887. Për këtë firmëtar të Pavarësisë e kësisoj një nga baballarët e kombit, mund të thuhet me plot gojën se ishte një shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur. Të ishe e të jesh i tillë shqiptar nuk ka qenë e nuk është pako gjë. Është thuajse gjithnjë e sekëlldisshme, për të thënë më të paktën e për zotin Ferit ishte një kalvar”, tha Rama.

Ai tha se “Ferit beu, frymën e veprimtarisë dhe përkushtimit e merrte nga dy mushkëri: nga mistika e atdheut dhe nga mistika e besimit të tij fetar”.

“Prej shehlerëve rufai, një prej të cilëve ishte vetë, ky shqipërues i frymëzuar i Kuranit të shenjtë dhe i penës së hollë të teologjisë islame, përftoi sensin e sintezës që sufizmit ndër shqiptarë i dha një hov të ri. Ndërsa prej Rilindasve dhe burrështetasve të parë shqiptarë ai mori vokacionin, edhe ky gati fetar, të shërbimit ndaj atdheut dhe më tutje shtetit të shqiptarëve”, shtoi Rama.

“Fenë dhe shtetin, në shembullin e doktorëve të mëdhenj të monoteizmës, i kuptoi drejt si të dallueshëm mes njëri tjetrit, por edhe të afrueshëm duke pasur njëlloj në fokus gjindjen dhe të mirën e përbashkët. Besimtar dhe i ndërgjegjshëm kësodore, ai nuk u impresionua nga portofolet ministrore që ju mirëbesuan dhe kurdoherë diti t’i linte siç i ishin dhënë, pa drama, hatërmbetje apo pazare”, shtoi Kryeministri.

Rama tha se “deri sa ndërroi jetë, fitoi një respekt të pakushtëzuar nën regjimet e njëpasnjëshme duke ua imponuar respektin, pa britma e protagonizma edhe vetë elitave kameleontike shqiptare”.

“Lëvroi zhanre nga më të ndryshmet, shkëlqeu edhe pse diskret në publicistike, përktheu nga Orienti i komplikuar në gjuhën e thjeshtë e të qëruar shqipe, vepra themelore dhe ndihu ta ngrinte teologjinë islame e mistikën e besës së Profetit, pothuajse në një disiplinë universitare. Thuhet për të se ishte i urtë, rigoroz, epërsisht i mirësjellë, me një kulturë që e spikaste në çdo mjedis. Ishte, me fjalë të tjera, një shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur. E prandaj edhe i rrallë e frymëzues”, tha Rama. Atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme