30 Maj, 2025 - 11:29 am
Institucionet artistiko-kulturore në vend kanë organizuar një buqetë aktivitetesh të dedikuara festës së 1 qershorit, të cilat nisin që ditën e sotme.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikoi një listë të gjatë eventesh të cilat përfshijnë disa qytete të vendit dhe ftoi prindërit të marrin fëmijët dhe të festojnë së bashku këtë fundjavë me aktivitete të shumta, shfaqje teatrale nga teatri i kukullave, numrat e shpejtësisë së cirkut kombëtar, festivale, muzikë dhe plot aktivitete të tjera.
Festa e vocërrakëve nis që sot (30 maj), në qytetin e Vorës, ku do të shkojë Cirku Kombëtar. Po sot nis edhe edicioni i 63-të i Festivalit të Fëmijëve në Shkodër. Ndërsa Teatri i Kukullave ka përgatitur shfaqjen “Hirushja” e cila do të vihet në skenë prej datës 31 maj.
Ditën e festës, më 1 qershor, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, fëmijët dhe prindërit mund të ndjekin koncertin “Zërat e qershorit”, në ora 11:00.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit do të argëtojë fëmijët e kryeqytetit në hapësirën e Parkut të Madh të Liqenit Artificial, ditën e 1 qershorit në orën 10:00. Njëkohësisht tek Arturbina do të shfaqet pjesa teatrale për fëmijë “Pylli i mistershëm”.
Festa do të vijojë edhe në datën 2 qershor, me aktivitete në Tiranë, Lezhë, Korçë, Vlorë. Një shfaqje krejt e veçantë do të jetë ajo e planetariumit në Kullën Veneciane të Durrësit, shfaqje e cila nis sot e përfundon më 8 qershor./ KultPlus.com