22 Gusht, 2025 - 7:32 pm
Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrjen e komunitetit lokal, u zhvillua për të dytin vit radhazi “Festa e Koranit”, një aktivitet i organizuar nga Bashkia e Pogradecit, që ka për synim promovimin e turizmit, mbrojtjen e ekosistemit liqenor dhe trashëgiminë natyrore të qytetit.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha se, “elementi kryesor i aktivitetit ishte hedhja në liqen e 200 mijë rasateve (berthamave) të Koranit, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Kjo ndërhyrje është një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe shumimin e kësaj specie endemike, e cila jeton vetëm në Liqenin e Ohrit”.
Sipas tij, kjo festë simbolizon jo vetëm përkujdesjen për mjedisin, por edhe angazhimin e autoriteteve për të kthyer biodiversitetin në një vlerë turistike dhe zhvillimore. Kjo specie e rrallë është pjesë e identitetit të Pogradecit dhe ka potencial të lartë për tërheqjen e vizitorëve.
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, përgëzoi të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e këtij aktiviteti dhe theksoi se “Vit pas viti po ndërtojmë një traditë të re për qytetin. Festa e Koranit do të pasohet, që nga viti i ardhshëm, edhe me Festën e Krapit, ku synojmë ndërtimin e një impianti të veçantë për rritjen e kësaj specieje në zhdukje.”
Kjo nismë synon të forcojë më tej pozicionin e Pogradecit si një destinacion turistik me identitet të veçantë, duke e kthyer liqenin në një burim të qëndrueshëm zhvillimi jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor e ekologjik./atsh/ KultPlus.com