12 Gusht, 2025 - 10:55 pm
Në zemër të një prej zonave më piktoreske të Pogradecit u zhvillua për herë të parë “Festa e Malit të Thatë”, një aktivitet që mblodhi bashkë banorët vendas dhe vizitorët për të festuar natyrën, historinë dhe trashëgiminë kulturore të kësaj treve.
Atmosfera nisi me muzikë e valle popullore, ndërsa nuk munguan edhe gatimet tradicionale.
Një vlerë të veçantë festës ia shtoi ekspozita e studiuesit Ledjan Zeqollari, ku u prezantuan dokumente dhe fotografi të rralla, që tregojnë historinë e Malit të Thatë dhe fshatrave përreth.
“Është një ekspozitë e cila promovon kryesisht dokumente dhe aspekte të vlerave kryesore historike-kulturore të krahinës së Malit të Thatë,” u shpreh studiuesi Zeqollari.
Në fjalën e tij, Lavdërim Mimimllari nga Shoqata “Mali i Thatë” u shpreh se kjo festë synon të kthehet në një traditë të përvitshme.
“Festa ka si objektin e saj ngritjen lart të vlerave të kësaj zone, të kulturës dhe të njerëzve që kanë kontribuar në kohë për ta mbajtur këtë zonë,” tha z. Mimimllari.
Organizatorët e konsiderojnë këtë edicion të parë një hap të rëndësishëm në promovimin e Malit të Thatë si destinacion turistik e kulturor, ku bukuritë natyrore, mikpritja dhe historia ndërthuren për t’i ofruar çdo vizitori një përvojë të paharrueshme./rtsh