8 Shtator, 2025 - 12:42 pm
Fundjava që lamë pas i solli gjallëri qytetit të Kukësit, ku u zhvillua edicioni i 7-të i Festivalit të Artistëve të Rrugës.
Animatorë dhe instrumentistë bashkuan fëmijët dhe qytetarët e Kukësit të cilët ndoqën me kuriozitet performancat e këtij festivali interaktiv, zhvilluar në sheshin përpara Muzeut Etnografik. Në shesh u vendosën stenda të cilat ftonin të angazhoheshin të mëdhenj e të vegjël, për të shprehur talentin e tyre në pikturë.
Artistët thanë se qëllimi i festivalit është pikërisht ndërveprimi me publikun, sidomos në një qytet si Kukësi që shpesh konsiderohet si qytet-tranzit. Alma Canaj, presidente e festivalit shprehet se nuk është i lehtë si aktivitet por qëllimi në vetvete për të angazhuar edhe publikun në këtë festival, e bën atë tërheqës.
Iris Canaj, organizatorja e festivalit, vë theksin tek çuarja e artit në hapësira publike për të mos pritur që publiku të shkojë domosdoshmërisht në institucionet e mirëfillta kulturore publike apo private. Aktiviteti u mirëprit nga qytetarët e Kukësit, të cilët u angazhuan së bashku me performuesit pa dallim moshe./atsh/KultPlus.com