Festivali i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë zbarkon në Prishtinë

16 Shtator, 2020 - 12:15 pm

Një seri filmash të cilat shfaqin sportet malore, aventurën në natyrë, avanturistët si protagonistë të këtyre ngjarjeve do t’i sjellin emocion e adrenalinë publikut kosovar në KinoArmata në datat 7 dhe 8 tetor, shkruan KultPlus.

Festivali “Banff Kosovo” i cili organizohet nga Banff Centre Mountain Film Festival në Kanada do të vie për herë të parë në Prishtinë.

“Ky program dy-ditor i filmave ka për qëllim të sjellë shpirtin e aventurës në natyrë, t’i familjarizojë prishtinasit me sportet ekstreme në botë dhe t’i inspirojë ata të kalojnë më shumë kohë në natyrë, ta ruajnë atë dhe ta bëjnë pjesë të aventurave të tyre jetësore”, është shprehur drejtori i Banff Kosovo, Besnik Shala.

Edicioni i parë i festivalit për filma do të sjell përpara shikuesve 16 filma të shkurtë, të ndarë në Red dhe Blue Programme.

Dita e parë e festivalit më 7 tetor do të jetë nën formatin e filmave Red Programme, në të cilat trajtohen çiklizmi malor, vrapimi, surfi, skijimi dhe aventura në terrenet më sfiduese në botë.

Ndërkaq dita e dytë dhe e fundit e festivalit, 8 tetori do të jetë në Blue Programme me 8 filmat e mbetur me tematikë në përpjekjet njerëzore për të arritur në fusha të ndryshme të sporteve ekstreme dhe një ndër to edhe filmi “A Nordic Skater” që trajton patinazhin skandinav. Këta 16 filma të cilët do të shfaqen përpara shikuesit kosovar janë produksione nga vende si Kanada, Amerika, vende Skandinave, Letonia, Afrika e Jugut, Franca, Austrina dhe vende tjera nga mbarë bota.

Edicioni i parë në Prishtinë mundësohet nga Komuna e Prishtinës dhe Ambasada Kanadeze në Kroaci, ndërkaq për herë të parë është organizuar në vitin 1976 në Kanada.

Kur festivali në Kanada të përfundojë, një përzgjedhje e filmave më të mirë përgatitet për tu shfaqur në 40 vende të ndryshme, para më shumë se 600 mijë shikuesve në 1200 shfaqje unike filmash në botë. / KultPlus.com

Të ngjajshme