Festivali i muzikës elektronike Lumina, Filo: Korça, skenë e ritmit dhe dritës

25 Korrik, 2025 - 12:49 pm

Korça në verë është një ndjesi e freskët, e qetë, mbushur me aromë lulesh dhe kujtimesh.

Shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe historia që ndihet në çdo hap e bëjnë këtë qytet gjithmonë të veçantë.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale pamje nga rrugicat karakteristike të “qytetit të serenatave”, me kalldrëmet e pastra, portat e vjetra që ia shtojnë hijeshinë dhe oborret plot lule që rrëfejnë për vëmendjen e korçarëve ndaj së bukurës. Ai e cilësoi Korçën, një qytet i cili përmirësohet çdo ditë, por pa humbur kurrë shpirtin që e bën kaq të dashur.

Pikërisht sot, në Korçë, nis aktiviteti i shumëpritur sidomos prej të rinjve, festivali i muzikës elektronike Lumina.

“Qyteti ynë bëhet skenë e ritmit dhe dritës, aty ku muzika elektronike takohet me natyrën, nën qiellin e hapur të Parkut Rinia”, shkroi Filo duke i rikujtuar korçarëve por edhe vizitorëve të shumtë, këtë ngjarje që do të zhvillohet për dy net rresht 25 dhe 26 korrik dhe ku hyrja do të jetë pa pagesë.

Me festivalin Lumina, Korça bëhet zemra e ritmit, dritës dhe magjisë, duke ftuar të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, për të përjetuar një atmosferë unike dhe për të zbuluar një tjetër dimension të Korçës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme