27 Korrik, 2025 - 10:20 am
Katër net me muzikë, pasion dhe emocion. Katër net që e shndërruan Shkodrën në një qendër të gjallë të artit modern. Edicioni i 8-të i Festivalit të Muzikës Moderne (FMM) mbylli siparin me një mbrëmje të paharrueshme më 26 korrik 2025, duke dëshmuar se muzika është një gjuhë që bashkon breza, kultura dhe zemra.
Shkruan: Rozafa Shpuza
Prej vitesh, ky festival, i iniciuar dhe mbështetur me përkushtim nga Shoqata Kulturore–Artistike “Prenkë Jakova”, është kthyer në një ngjarje të shumëpritur për Shkodrën. Ai nuk është thjesht një festival, por një tribunë që nxit krijimtarinë muzikore, që u jep hapësirë talenteve të rinj dhe ndërthur mjeshtërinë e artistëve shqiptarë me energjinë e formacioneve ndërkombëtare.
Pas gjithë kësaj përmase artistike, qëndron një ekip i vogël por thelbësor: Gjon Shllaku, drejtuesi artistik dhe ideatori i festivalit, që prej vitesh e udhëheq këtë ngjarje me vizion dhe ndjeshmëri; Dritan Mlika, drejtues organizativ, që siguroi strukturën dhe mbarëvajtjen; Ergys Pirani, konsulent artistik; Markelian Kapidani, koncertmaestër dhe një nga shtyllat muzikore të çdo nate; Dorjan Ulaj, koordinator i pandalshëm mes skenës dhe prapaskenës; dhe Rozafa Shpuza, skenariste, që ndërthurte me kujdes fjalën dhe emocionin.
Në skenën e hapur, përballë publikut shkodran dhe vizitorëve të shumtë, performuan disa prej artistëve më të njohur shqiptarë si:
Rezarta Smaja, Saviana Vjerdha, Laorjan Ejlli, Eugjen Marku, Margerita Shllaku, Ademir Fresku, Leticia Gargjola, Viki Haxhi, si dhe shumë emra të rinj me potencial të jashtëzakonshëm.
Spikati veçanërisht Markelian Kapidani – pianist, kompozitor dhe drejtues muzikor – që ishte frymë e gjallë në çdo natë të festivalit. Big Band-i solli një përjetim unik me arranxhime moderne dhe energji të fuqishme. Një moment i veçantë ishte edhe “Timpana Skodrinon”, formacioni i të vegjëlve, nën drejtimin e Jetmir Mesit, që premton vazhdimësi dhe pasion për brezat që vijnë.
Një synim i rëndësishëm për edicionin e 9-të të FMM-së është që një prej netëve të tij të zhvillohet në Prishtinë, si një hap simbolik dhe artistik për të lidhur më fort Shkodrën me hapësirën kulturore mbarëshqiptare.
FMM u bë jo vetëm një festival, por një përvojë e përbashkët, një kujtim i gjallë dhe një premtim për të ardhmen.
🎶 Deri në edicionin e nëntë, muzika vazhdon të jetojë në Shkodër dhe së shpejti edhe në Prishtinë!/KultPlus.com