8 Qershor, 2025 - 10:31 am
Korça çeli mbrëmë sezonin veror me edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, një festë e vërtetë në rrugët e qytetit.
Ngjyra, muzikë, maska dhe një energji e jashtëzakonshme përcolli kjo festë në qytetin e Korçës, i cili ishte bërë mbrëmë destinacion i shumë vizitorëve.
Trupa të shumta nga Bullgaria, Polonia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria sollën performanca fantastike dhe maska që e kthyen bulevardin në një skenë të hapur, ku çdo hap ishte ritëm dhe çdo fytyrë një vepër arti.
Qindra qytetarë dhe turistë u bashkuan në këtë atmosferë unike, ku festa dhe kultura u ndërthurën në mënyrën më të bukur.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se “Korça e nisi verën me energji dhe gjallëri, duke treguar edhe një herë se është një qytet me plot arsye për t’u vizituar”.
“Faleminderit të gjithëve që ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë. Do të vazhdojmë të punojmë për një qytet gjithnjë e më të gjallë dhe mikpritës”, tha Filo.