1 Gusht, 2025 - 4:53 pm
Pas një jave të mbushur me muzikë të mrekullueshme, emocione të thella dhe përvoja kulturore unike, Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF) po i afrohet finales së tij madhështore me koncertin “Rame Lahaj & Friends”, që do të mbahet nesër më 2 gusht, në Sheshin Skënderbeu, nga ora 20:30.
Në konferencën përmbyllëse për shtyp të mbajtur sot, u prezantuan sukseset e edicionit jubilar, i cili tashmë është kthyer në një ngjarje të rëndësishme për skenën artistike në Kosovë. Të pranishëm në konferencë ishin figura të njohura si tenori Rame Lahaj, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, sopranoja me famë botërore Nino Machaidze, basi Dario Russo, dirigjenti italian Roberto Rizzi Brignoli, si dhe Blerta Ristani, drejtoreshë artistike e Orkestrës Simfonike të RTSH. Në mesin e të ftuarve ishin gjithashtu Lorik Cana dhe Besmir Vokopola, transmeton KultPlus.
Gjatë këtij edicioni, RLIOF udhëtoi në tri qytete me koncertin “Nexhmije Pagarusha”, solli masterclass-in unik të Ramón Vargas me artistë të rinj, zhvilloi programin edukativ për fëmijë “Educating the Audience of the Future” dhe dhuroi dy netë të jashtëzakonshme operistike: “Opera Night” me Marigona Qerkezin dhe “Ensemble Evening” me Anita Rachvelishvili.
Finalja e nesërme do të jetë kulmi i këtij rrugëtimi artistik, një gala ndërkombëtare ku opera do të shndërrojë zemrën e Prishtinës në një skenë botërore./KultPlus.com