Festivali “Nona”, tradita e përvitshme kushtuar gjysheve mikpritëse përmetare

11 Gusht, 2025 - 11:40 am

Edicioni i pestë i Festivalit “Nona”, gjallëroi fundjavën e Përmetit, duke mbledhur aty një numër të madh këngëtarësh e instrumentistësh të cilët ia shtuan harenë festës.

Festivali “Nona”, i kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, si një hapësirë ku promovohen kulinaria, vlerat dhe burimet e shumta të të gjithë zonës, u bë shkak që në qytet të mblidheshin një numër i madh vizitorësh vendas e të huaj. Pjesëmarrësit në këtë festë me shumë energji pozitike këtë vit ishin edhe nga Vlora, Durrësi, Kosova etj.

Të pranishme tek “Nona” e Përmetit ishin edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, të cilat përgëzuan organizatorët e kësaj feste që tashmë i ka kapërcyer kufijtë e një feste lokale, si dhe veçanërisht kryetaren e bashkisë, Alma Hoxhën, për mbështetjen që i ka dhënë.

Përveç koncertit me emra të njohur të skenës shqiptare, në shesh u promovuan prodhimet vendase, kulinaria, vlerat e zonës dhe mikpritja unike e Përmetit.

Festavali “Nona” është një homazh kushtuar gjysheve shqiptare e veçanërisht atyre përmetare, që e kanë ngritur në majat më të larta mikpritjen, duke bërë që qyteti të rezervohet 100% në çdo bujtinë, hotel e shtëpi pritëse./atsh/

Të ngjajshme