FIFA dënon Serbinë për ofendimin e Xhakës dhe Shaqirit

13 Janar, 2023 - 6:07 pm

Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka dënuar sërish Serbinë, përcjell KultPlus.

FIFA të premten e dënoi Federatën serbe me 50 mijë franga për thirrjet fyese të tifozëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me një gjobë prej 50,000 CHF dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (25% e vendeve të mbyllura) në ndeshjen e radhës zyrtare të FIFA-s që do të luhet në nivelin “A” nga kombëtarja e saj e meshkujve për shkelje të neneve 13 (Diskriminimi) dhe 12 (Sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA-s në dritën e thirrjeve nga mbështetësit serbë dhe sjelljen e keqe të ekipit (sanksione individuale për shtatë lojtarë) gjatë ndeshjes Serbi kundër Zvicrës.

Kujtojmë që FIFA më 8 dhjetor 2022 pati gjobitur Federatën serbe të futbollit për deklarata politike në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Serbët u gjobitën me 20.000 franga zvicerane për “shkelje të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores së Kupës së Botës FIFA 2022 në lidhje me pankartën e shfaqur në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes kundër Brazilit, në të cilën është varur një flamur me hartën e Kosovës të lyer me ngjyrat e flamurit serb, me sloganin: “S’ka dorëzim”./ KultPlus.com

Të ngjajshme