Filmi shqiptar “Burri i shtëpisë” në Festivalin e Filmit në Sarajevë

4 Gusht, 2025 - 2:03 pm

Qendra Kombëtare e Kinematografisë bëri të ditur se filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media”, do të ketë premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025.

Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Andamion Murataj është njëkohësisht edhe skenaristi i filmit, cili zgjat 110 minuta dhe përqendrohet në historinë e Fran, një personazh kompleks, lindur si grua por që bën jetën e një burri apo e thënë ndryshe “burrneshë”.

Për t’i dhënë dashurinë e nënës mbesës së saj, Fran duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë nëse do të vijojë të ruajë statusin si burrneshë apo të ulë autoritetin dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës.

Edicioni i 31-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë do të mbahet në datat 15-22 gusht 2025. Fetivali do të çelet me “The Pavilion” nga regjisori i mirënjohur boshnjak Dino Mustafic. 50 filma do të garojnë në kategori të ndryshme, për çmimin “Zemra e Sarajevës”.

Janë përzgjedhur 15 premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 28 rajonale si dhe dy premiera kombëtare. Pritet që kineasti italian Paolo Sorrentino të vlerësohet me çmim nderi “Honorary Heart of Sarajevo Award”, për kontributin e jashtëzakonshëm në artin e kinemasë. Dy yje të tjerë të kinematografisë botërore, të cilët do të nderohen me çmime në këtë edicion, do të jenë suedezi Stellan Skarsgard dhe amerikani Willem Dafoe./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme