Fioralba Cakoni, anëtarja më e re e Akademisë së Shkencave

27 Korrik, 2022 - 12:00 pm

Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i është shtuar një tjetër anëtare. Ajo është prof. Fioralba Cakoni, të cilës iu dha diploma si anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave.

Ceremoninë, në sallën Aleks Buda, e hapi akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave i cili paraqiti portretin e prof. Fioralba Cakonit si një matematikane e nivelit të lartë shkencor botëror.

Më pas, kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi i dorëzoi prof. Cakonit diplomën si anëtare e jashtme e Akademisë. Prof. Cakoni falënderoi Akademinë për nderin dhe mbështetjen e dhënë. Në fund të ceremonisë prof. Cakoni nënshkroi në faqen e saj në Librin e Artë të Albanologjisë.

Fioralba Cakoni mban titullin profesor prej vitit 2010 dhe ka fituar gradën doktor i shkencave në matematikë prej vitit 1993 në Universitetin e Patras, Greqi.

Prej vitit 2015 ajo është anëtare e departamentit të matematikës në Rutgers University, SHBA, departament i cili renditet i 16-të në nivel botëror përsa i takon programeve matematike.

Prof. Cakoni ka punuar në një sërë universitetesh prestigjioze dhe ka bashkëpunuar me disa të tillë përfshirë këtu Ecole Polytechnique në Francë.

Aktiviteti i saj shkencor është në nivelin më të lartë ndërkombëtar e renditet në fushën e saj si një ndër profesoret më të suksesshme, e klasit botëror. Këtë e dëshmojnë botimet e saj të cilat përfshijnë 117 publikime.

Prof. Cakoni është vlerësuar nga Shoqata Amerikane e Matematikës me çmimin Simons Fellow in Mathematics – 2016 dhe pranuar në Fellow of American Mathematics Society – Class 2019./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme