Fjalët e fundit të George Floyd-it “fluturojnë” në qiellin e qyteteve amerikane

2 Qershor, 2020 - 11:54 am

Fjalët e fundit të afrikano-amerikanit Geoerge Floyd, i cili vdiq në duart e policisë në Minneapolis, janë bërë parullë e fuqishme për protestuesit në Shtetet e Bashkuara.

Përderisa protestat kundër brutalitetit të policisë janë përhapur në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të botës, artisti Jammie Holmes e ka gjetur një mënyrë të re për ta përkujtuar thirrjen e Floyd-it për ndihmë – duke i dërguar ato në qiellin e pesë qyteteve të mëdha.

Gjatë fundjavës, pankartat me fjalët “Të lutem, s’po mund të marr frymë” dhe “Ata do të më vrasin” janë parë duke u tërhequr nga aeroplanët në qiell në Detroit dhe New York. Në tri qytete të tjera, në Los Angeles, Miami dhe Dallas, në pankarta shkruhej “Po më dhemb barku”, “po më dhemb qafa” dhe “gjithçka po dhemb”, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Floyd u shpall i vdekur pak kohë pas arrestimit të hënën e 25 majit. Polici Derek Chauvin është parë duke ia mbajtur gjurin mbi qafë për disa minuta, pavarësisht se afrikano-amerikani thoshte se nuk po mund të marrë frymë. / KultPlus.com

Të ngjajshme