Flamuri Kombëtar është ngritur në Asamblenë e Ontarios, me rastin e 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

25 Nëntor, 2019 - 8:47 am

Flamuri Kombëtar u ngrit sot në Asamblenë Legjislative të Ontarios, me rastin e 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kanada, shkruan KultPlus.com

Këtu keni postimin e tyre të plotë:

“Flamuri Kombëtar u ngrit sot në Asamblenë Legjislative të Ontarios, me rastin e 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Krahas Ambasadorit Ermal Muca, nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryetari i Asamblesë Legjislative të Ontarios, z. Ted Arnot, anëtarja e Parlamentit të Ontarios, znj. Bhutila Karpoche, anëtarja e Parlamentit të Kanadasë dhe njëherësh, kryetare e grupit parlamentar të miqësisë Kanada-Shqipëri, znj. Julie Dabrusin, anëtari i Parlamentit të Kanadasë dhe njëherësh, anëtar i grupit parlamentar të miqësisë, z. Sven Spengeman, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Donat Syla, anëtari i KKD, z. Ardian Radovicka, drejtues dhe aktivistë të organizatave të diasporës në Ontario si edhe anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez.

Gjatë ceremonisë së organizuar nga Ambasada e RSH në Kanada, në bashkëpunim me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, ACE Society, Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze Iliria të Londonit, Shoqatën Shqiptare të Hamiltonit, RJ Scholarship, Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë dhe Shoqatën Bashkimi Kombëtar të Kitchener, Flamuri Kombëtar u ngrit nga këngëtarja e talentuar shqiptare, Erza Muqolli.

Ceremonia vijoi në ambientet e brendëshme të parlamentit, ku artistët e mirënjohur shqiptaro-kanadezë, znj. Entela Galanxhi dhe z. Qazim Kallushi performuan pjesë muzikore nga kompozitorët shqiptarë.

Mirënjohje autoriteteve kanadeze në nivel federal dhe provincial të cilët me praninë dhe mesazhet e tyre iu bashkuan komunitetit shqiptaro-kanadez në këtë ngjarje të rëndësishme, organizatave të diasporës për bashkëpunimin e frytshëm dhe cilësor si edhe diasporës shqiptare në Ontario për praninë dhe angazhimin me rastin e kësaj ceremonie solemne.

Mirënjohje e veçantë artstëve të nderuar të cilët me debutimin dinjitoz në ambientet e parlamentit, na bënë të ndihemi krenar për trashëgiminë tonë kulturore.

Gëzuar 107 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe 75 vjetorin e Çlirimit të Atdheut”! /KultPlus.com

Të ngjajshme